Ferizaj, filloi ndërtimi i çerdhes së premtuar nga Agim Aliu në emisionin "Jeta në Komunë"

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit të çerdhes për fëmijë në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ të qytetit.

Ndërtimin e kësaj çerdheje, Aliu e pati premtuar në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës.

Në njoftimin në web-faqen e Komunës thuhet se i pari i Ferizajt e ka vlerësuar lartë këtë projekt, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

“Është një projekt dhe objekt i një rëndësie të veçantë për vet faktin se është duke u ndërtuar tek ne, është duke u ndërtuar në Ferizaj, dhe Ferizaj tashmë si qyteti me shtimin mekanik të popullsisë ndër më të mëdhatë në Republikën e Kosovës, por edhe një qytet që është duke pasur dinamikë dhe ritme të larta të zhvillimit, atraktiv për të jetuar sigurisht se duhet të përshtatet me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, është shprehur Aliu sipas njoftimit të Komunës.

Tutje bëhet e ditur se çerdhja do të ketë 2,100 metra katrorë sipërfaqe, me 14 dhoma mësimi për fëmijë, kuzhinë dhe hapësira tjera përcjellëse.

Në anën tjetër, Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, u shpreh se ky projekt është në vazhdën e projekteve të tjera.

Aliu falënderoj ministrin Likaj për kontributin e dhënë për ndërtimin e kësaj çerdheje.