Foto: Ilustrim

Ferizaj, dyshohet se dy inspektore të punës janë kanosur nga pronari i një biznesi

Dy inspektore të punës në Ferizaj dyshohet se sot janë kanosur nga një person.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar, Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Ferizajt.

“Më 14.11.2022 rreth orës 16:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në rrugën “Driton Islami” në një biznes lokal është raportuar një rast i kanosjes. Dyshohet se dy inspektore të punës janë kanosur aty nga një person”- ka thënë Veseli për KALLXO.com.

Ai ka bërë të ditur se Prokuroria e Ferizajt ka nisur hetimet dhe rasti është cilësuar si kanosje.

“Policia e stacionit në Ferizaj i ka marrë masat e nevojshme, i ka intervistuar dy inspektoret e punës dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt kanë nisur hetimet dhe rasti është cilësuar – kanosje” – ka vijuar Veseli.

Ndërkaq, burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se në këtë rast kanë qenë tri inspektore të cilat janë kanosur nga pronari i një biznesi derisa ato kanë shkuar të kryejnë një inspektim te një automekanik.

KALLXO.com merr vesh se i dyshuari i ka kanosur inspektoret, duke i sharë e ofenduar ato dhe duke mos i lënë ta kryejnë punën e tyre.

Po ashtu, KALLXO.com mëson se më pas inspektoret bashkë me Policinë kanë shkuar te ky biznes dhe e kanë kryer inspektimin, por që këtë radhë nuk u ka dalë përpara personi që dyshohet se i ka kanosur.

Po ashtu, burime për KALLXO.com kanë bërë të ditur se inspektoret më pas kanë shkuar në emergjencë për shkak të shqetësimit.