Ferizaj, drekat e darkat e Drejtorisë së Arsimit që kushtuan deri në 330 euro

Sallata të pulës, biftek meksikan ose me sos, mish viçi, birra e pije të tjera janë servuar për stafin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Ferizajt, në restorantet që gjenden në këtë qytet.

KALLXO.com ka siguruar faturat nga drekat dhe darkat e shpenzuara nga DKA-ja për vitin 2019 dhe 2020.

Fatura me shpenzimet më të mëdha ishte në vlerë prej 330 euro në darkën e fundvitit për 2019.

 

Ndërsa, më 13 nëntor të vitit 2020 komuna e Ferizajt ka paguar 195 euro për pije dhe ushqim. Në faturë nuk është cekur se çka është servuar në atë takim.

 

35 sallata të pulës, pije dhe kafe me vlerë 192.50 euro janë porositur në njërin nga restorantet që ndodhet pranë objektit të komunës, më 31 në janar të vitit 2020.

 

Në një restorant rreth shtatë kilometra larg qytetit të Ferizajt, më 12 dhjetor të vitit 2019 DKA pagoi 163 euro e 50 cent për pije e ushqim, por në faturë nuk është detajuar se çka është servuar.

 

 

Por, më pak shpenzime pati në takimin e mbajtur më 16 prill të vitit 2019, në të cilën u harxhuan 26 euro e 50 cent, për sallata të pulës, pije e kafe.

 

 

Në 18 faturat e siguruara nga KALLXO.com të shpenzuara nga stafi i Drejtorisë së Arsimit për vitin 2019 dhe 2020 janë harxhuar rreth 1710 euro për ushqim dhe pije.