Foto: KALLXO,com

Ferizaj dje nuk pati asnjë të infektuar me COVID-19, në spital tetë pacientë janë me oksigjeno-terapi

Në Spitalin Rajonal të Ferizajt tetë pacientë të rezultuar pozitiv me SARS-CoV-2 janë duke u asistuar me oksigjeno-terapi.

Këtë për KALLXO.com e ka bërë të ditur drejtori i këtij Spitali, Jeton Zeqiri.

Ai ka treguar se dy pacientë kanë rezultuar negativë me COVID-19 në testet e fundit, ndërsa dy të tjerë janë të pakonfirmuar.

Sipas drejtorit, në këtë spital janë zhvilluar edhe pesë vizita specialistike.

Mantelbardhët të cilët kanë qenë pozitivë me SARS-CoV-2 në Spitalin e Ferizajt tashmë kanë tejkaluar këtë infeksion dhe janë shpallur të shëruar.

Dje në këtë komunë nuk është shënuar asnjë rast i infektuar me coronavirus, në ditën kur në nivel vendi janë shënuar edhe 62 raste të reja me COVID-19, ndërsa janë shëruar 85 të tjerë.

Tash e gjashtë muaj në Kosovë janë regjistruar 15 mijë e 270 prej tyre 12 mijë e 900 janë shëruar dhe 616 kanë vdekur.