Foto: Ilustrim

Ferizaj, djali e kërcënoi nënën: Do të të vras

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B., i cili dyshohet për veprën penale – kanosje.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit dhe se paraburgimi ndaj D.B. do të mbahet në Institutin e Forenzikes Psikiatrike në QKUK.

Tutje në njoftim thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore, paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës, pasi po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarës, përkatësisht nënës së tij dhe të dëshmitarëve tjerë, dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale.

Pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 19 janar 2021, në Ferizaj, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, ka kanosur të dëmtuarën – nënën e tij V.S., duke u shprehur me fjalët se “do ta vras”, me ç’rast kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri tek e dëmtuara.