Ferizaj, arrestohet shtetasi i Maqedonisë për kanosje ndaj policëve dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se ka arrestuar një person, shtetas i Maqedonisë i cili dyshohet se ka kërcënuar zyrtarët policor, ndërsa gjatë kontrollit i është gjetur një armë zjarri.

Sipas Policisë rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në Ferizaj. Policia ishte informuar se një lokal hotelier ishte duke punuar në kundërshtim me masat e Qeverisë së Kosovës. Informacioni del i saktë, pasi Policia në atë ambient kishte hasur disa persona brenda.

P.K raporton se në bazë të autorizimeve kanë filluar që të ju shqiptojnë gjoba të gjithë personave të pranishëm që nuk i kanë respektuar masat për parandalimin e COVID-19. Mirëpo personi i dyshuar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, sipas Policisë ka filluar t’i kundërshtojë duke i kërcënuar me jetë.

“Një person ka filluar t’i kundërshtojë policinë, duke i fyer ata dhe duke i kërcënuar me jetë. Policia, të detyruar nga veprimet e personit të dyshim, për shkak të kanosjes së drejtpërdrejt, për ta futur situatën e krijuar nën kontroll e arrestojnë të njëjtin dhe gjatë kontrollit i është gjetur edhe një armë zjarri (pistoletë me 3 fishekë)”, thuhet në njoftimin e P.K.

Sipas Policisë i njëjti është shoqëruar në stacionin policor dhe gjatë testit për alkool ka rezultuar me 1.6 promilë.

Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 dhe fton qytetarët që sa herë kanë informacione për moszbatim të këtyre masave, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192,0”, thuhet në raportin e Policisë.