FOTO ILUSTRIM

Ferizaj, arrestohet i dyshuari për vjedhjen e mbi 1 mijë eurove

Një 44 vjeçar me inicialet H. H. është arrestuar nga policia për vjedhje të rëndë.

Sipas policisë i dyshuari së bashku me dy persona të tjerë në mënyrë të maskuar disa ditë më parë rreth orës 3 të mëngjesit në fshatin Kamogllavë kanë thyer disa lokale të një firme dhe nga aty kanë vjedhur një shumë parash prej 1 mijë e 130 eurove.

Përveç parave të grabitura, sipas policisë,  në po të njëjtat lokale të dyshuarit kanë vjedhur edhe artikuj ushqimorë në vlerë të 250 eurove si dhe aparatin e numërimit të parave.

Pas kryerjes së veprës të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.

Policia gjithashtu ka njoftuar se pas identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarit, është kryer edhe një bastisje në shtëpinë e këtij të fundit.

Nga aty policia ka konfiskuar një aparat numërimi, gjëra ushqimore të vjedhura në po të njëjtën firmë dhe një maskë.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Me urdhër të këtij të fundit i dyshuari është ndaluar për  48 orë.