Ilustrim

Ferizaj, arrestohet i dyshuari për fajde e shpëlarje parash

Policia e Kosovës, më saktësisht Njësia për hetim të krimeve ekonomike dhe korrupsionit, për dy vite kishte hetuar në mënyrë intensive një person të dyshuar për fajde e shpëlarje parash.

Me anë të një njoftimi, Policia ka thënë se pas dy vitesh hetime gjatë ditës së sotme është arrestuar N.B. nga Ferizaj.

Gjithashtu Policia ka njoftuar se sipas urdhëresës së gjykatës përveç se kanë arrestuar të dyshuarin, kanë bastisur dy objekte banimi dhe një lokal afarist.

Gjatë bastisjes, Policia ka gjetur dhe konfiskuar para të gatshme në vlerë prej 5 mijë eurove, katër fletëpagesa në vlerë të 115 mijë e 206 eurove, një folder, një laptop, katër fletore, tri fletë- deponime të bankës dhe një kompjuter.

“Gjërat materiale të cilat janë konfiskuar do të analizohen në hollësi për të sqaruar gjendjen faktike mbi bazën e dyshimeve të ngritura kundrejt të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës , dhe pas intervistimit  me aktvendim  të prokurorit nga Prokuroria  Speciale,  të  njëjtit  i është shqiptuar masa e ndalimit  për 48 orë.