Ilustrim Foto: PK

Ferizaj, arrestohen 4 persona për prerje e shitje ilegale të drurëve

Policia e Ferizajt ka ndaluar katër persona, të cilët dyshohen për prerje, transportim e shitje ilegale të drurëve.

Në kuadër të zbatimit të planit operativ “Mbrojta e Pyjeve 2021” policët kanë hasur në katër persona të cilët dyshohet se kanë vjedhur dhe prerë drurë në bjeshkët e komunës së Ferizajt.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistës ndaj njërit prej tyre është ngritur kallëzim penal.

“Në stacionin policor në Ferizaj janë shoqëruar katër persona dhe pas intervistës ndaj njërit është ngritur kallëzim penal, ndërsa ndaj tre të tjerëve janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, ndërsa automjetet , traktori dhe drunjtë u janë konfiskuar për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë në rast se hasin në persona që presin, transportojnë apo edhe shesin ilegalisht dru, duke siguruar se të dhënat e tyre do të ruhen në mënyre konfidenciale.