Ferizaj, arrest shtëpiak për të dyshuarit për falsifikim të parave

Gjykata e Ferizajt ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L. dhe Sh.B., shtetas të Kosovës, të dyshuar për falsifikim të parave.

Gjykata ka caktuar ndërkaq masën e arrestit shtëpiak prej një muaji.

Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Ibrahim Idrizi.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen nga ana e prokurorisë së shtetit dhe se edhe me masën e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës mund të arrihet qëllimi që të sigurohet prania e të pandehurve në procedurë dhe të rrjedh normalisht zhvillimi i procedurës penale, duke u eliminuar këtu edhe mundësia e përsëritjes së veprës penale, sepse dyshimi është se të pandehurit kanë transportuar paratë e falsifikuara nga territori Maqedonisë së Veriut në territorin e Kosovës.

“Mundësia për të përsëritur veprën penale është minimale edhe për faktin e gjendjes shëndetësore të të pandehurit. Në anën tjetër mënyra e dyshimit dhe rrethanat se si është kryer vepra penale nuk kanë ndikim në këtë fazë të procedurës në rastin konkret në masën ligjore, meqë këto rrethana parashihen si rrethana tjera me rastin e nxjerrjes së vendimit gjyqësor për fajësinë e të pandehurve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

KALLXO.com raportoi dje për arrestimin e dy të dyshuarve, të cilët u kapën duke futur në Kosovë monedha 2-euroshe, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Arrestohen 2 persona, transportonin nga Maqedonia e Veriut monedha 2-euroshe të falsifikuara