
Ilustrim
Ferizaj, arrest shtëpiak për të dyshuarin për aksidentin që përfundoi me vdekjen e këmbësorit
Gjykata e Ferizajt ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.R., i dyshuar për rrezikim të trafikut publik.
Ndaj të njëjtit, Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Shabi Idrizi.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 24 janar (të dielën), në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, duke drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me ligjin ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, në atë mënyrë që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe gjendjes së rrugës, dhe duke mos i kushtuar kujdes këmbësorit që ishte duke lëvizur nga ana e majtë për në anën e djathtë në drejtim të lëvizjes së automjetit, tani të ndjerin N.P. e hedh mbi automjet dhe këmbësori përplaset në rrugë me ç’ rast nga plagët e marra në vendin e ngjarjes mjeku ka konstatuar vdekjen e tij.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.