Ferizaj, ambulanta pa ujë të mjaftueshëm

Ambulanta e Mjekësisë Familjare në fshatin Gaçkë në Komunën e Ferizajt tash e një kohë zhvillon punën e saj me ujë të reduktuar.

I njëjti problem është edhe në disa pjesë të tjera të fshatit pasi që ujësjellësi nuk ka shtypje të mjaftueshme gjatë tërë kohës.

Për të kryer shërbimet me ujë infermierja e kësaj ambulante bartë ujë me anë të shisheve të plastikës.

Kryetari i fshatit Gaçkë, Feriz Sejdiu thotë se në objektin e ambulantës është sistemi i ujësjellësit, por për shkak të nivelit të ulët të ujit është bërë hapja e një pusi të ujit.

“Ambulanta ujin e ka të instaluar, por ujë nuk ka prej mas luftës”, ka thënë Sejdiu.

Ai tregon se edhe një pjesë e fshatit ka problem me ujë, por sipas tij vendosja e orave për matjen e shfrytëzimit është në proces e sipër.

“Kur bjen shi ka ujë, ka pas kohë pas kohe, ka pasë ujë”, shton ai.

Ndërsa, Nadire Ymeri, drejtoreshë e QKMF-ve në Ferizaj, ka thënë se ky është problem i cili përfshinë tërë fshatin.

“Probleme ka edhe fshati edhe aty nuk ka shtypje, tash aty është pusi, kanë intervenu”, ka thënë Ymeri.

Sipas saj ky është problem komunal dhe pritet që të rregullohet.

“Aty kanë mbetur edhe disa pjesë edhe me rregullu”, ka shtuar ajo.

Drejtori i shëndetësisë në komunën e Ferizajt, Bekim Ademi ka thënë se ky problem është i mëhershëm dhe pritet që në muajin korrik të rregullohet.

“Problemi me ujin është kaherë, në muajin korrik pritet me u hap pusi dhe do kyqet”, ka thënë Ademi.

Kjo qendër e Mjekësisë Familjare punon vetëm me një infermiere.