COVID-19

Qe tri ditë pa asnjë rast me COVID-19, Ferizaj pret sot rezultatet e 34 mostrave

Tash e tre ditë komuna e Ferizajt nuk ka pasur raste të reja me coronavirus.

13 të infektuar janë ritestuar pardje, 34 dje, ndërsa sonte pritet të dalin rezultatet e 34 ritestimve të tjera. Këtë e konfirmoi për KALLXO.com, drejtori i spitalit në këtë komunë, Jeton Zeqiri.

“Tash e tre ditë nuk ka pas të infektuar, por tash e tre ditë janë bërë ritestime pardje 13, dje 34, edhe sot janë marrë 34 mostra për ritestim”, tha Zeqiri.

Drejtori thotë se brenda shtatë dite duhet të  bëhet prapë ritestimi për të parë se a janë të shëruar plotësisht.

“Por, për me u shëru duhet me dalë dy herë negativ në periudhën shtatë ditore, do të thotë ne ende nuk mund të themi që janë shëru plotësisht pa e bërë edhe testimin e dytë”, tregoi Zeqiri.

Tutje, ai potencoi se ka qenë vetëm një i dyshuar, por i cili është futur në vetizolim.

“Raste të reja nuk ka, as në QKMF nuk kemi pasur raste të reja. Një rast ka qenë i dyshuar i cili ka pasur simptoma, mirëpo zakonisht kur i futim në vetizolim e informojmë Institutin Kombëtar dhe sipas gjendjes përcillet dhe nëse ka nevoj edhe ju bëhet testimi, do të thotë vetëm një ka qenë i dyshuar”, u shpreh ai

Gjendja e të infektuarve është stabile, sipas drejtorit.

“Gjendja është stabile, të gjithë pacientët që janë vetizolu, edhe ata që kanë rezultuar pozitiv, më parë nuk kanë pasë asnjë problem shëndetësor”, pohoi ai.

Në këtë komunë janë 98 persona të infketuar me COVID- 19, ndërsa vetëm katër prej tyre janë të hospitalizuar pjesa tjetër janë në vetizolim.

“Të hospitalizuar sipas informacioneve që i kamë janë katër persona të tjerët janë në shtëpi”, konfirmoi Zeqiri.