Ferati reagon pasi hajnat i hynë në shtëpi: Ky veprim ka tronditur thellësisht ndjenjën e sigurisë së familjes sime
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati ka informuar qytetarët për vjedhjen në shtëpinë e tij në fshatin Gurrakoc që e raportoi në Polici se ka ndodhur mbrëmjen e të premtes, më 06.12.2024.
Kryetari Ferati e ka quajtur “akt të papranueshëm vjedhjeje” këtë rast.
“Persona të papërgjegjshëm kanë depërtuar me forcë, duke shkaktuar dëmtime materiale dhe duke vjedhur edhe një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sime familjare, me vlerë të madhe shpirtërore dhe historike për mua dhe familjen time” – ka shkruar Ferati në Facebook, më 07.12.2024.
Sipas Feratit, ky veprim i papranueshëm ka shkaktuar jo vetëm dëm ekonomik, por ka tronditur thellësisht ndjenjën e sigurisë së familjes së tij dhe të tijën, si qytetar dhe si kryetar komune.
Ferati ka vlerësuar se humbja e trashëgimisë familjare e bënë këtë ngjarje edhe më të dhimbshme, pasi përfaqëson një pjesë të historisë dhe identitetit të tij personal.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar në hetimin e këtij rasti. Njëkohësisht, i bëj thirrje organeve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse që të angazhohen me përkushtim për zbardhjen e plotë të rastit dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të këtij akti të dënueshëm” – ka shtuar Ferati.
Ferati ka theksuar se siguria dhe mbrojtja e pronës janë të drejta themelore që duhen garantuar për të gjithë qytetarët pa përjashtim.
“Ju falënderoj për mbështetjen dhe solidaritetin tuaj në këto momente të vështira” – ka thënë në fund ai.
KALLXO.com raportoi se kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka raportuar në Policinë e Kosovës se të premten me 06.12.2024 i kanë hyrë hajnat në shtëpinë e tij në fshatin Gurrakoc, duke i vjedhur para të gatshme dhe stoli ari.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi vet Ferati dhe zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi.
Kur u kontaktua, Ferati përmes telefonit tha se ishte me agjentë të Policisë së Kosovës duke u marrë me këtë rast.
“Po, e vërtetë është. Me të thanë të drejtën është vjedhë stoli ari të nuses time edhe një pjesë e mjeteve [para] të vëllaut” – ka thënë Ferati.
Sipas tij, shuma e vjedhur nga të dyshuarit nuk dihet dhe nuk është siç po raportohet në media.
Ferati ka treguar se rasti ka ndodhur mbrëmjen e të premtes, më 06.12.2024.
“E kam raportu në momentin që kam hy në shpi edhe e kam pa që ka vandalizëm, thymje, dëmtim… Po supozoj unë, prej orës 17:30 deri në orën 19:00 në atë interval kohor” – ka shtuar Ferati.
Kurse, Fadil Gashi nga Policia e Kosovës tha se është inicuar rast “vjedhje e rëndë” dhe se policët dhe hetuesit kanë dalur në vendin e ngjarjes. Ai tha se ende nuk e di shumën e saktë që pretendohet se është vjedhur.