Ferat Shala: Ngritja e tarifave të energjisë është e papërballueshme, nuk duhet të ndodhë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala në emër të Grupit Parlamentar ka folur në seancën e Kuvendit rreth paralajmërimeve për ngritje të tarifave të energjisë elektrike për 14% nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike – ZRRE.

Deputeti Shala bëri thirrje që të mos lejohet shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke e lidhur edhe me situatën e vështirë ekonomike në Kosovë.

‘’Për shkak gjendjes jo të mirë ekonomike të vendit, për shkak të inflacionit të lartë mbi 14% të të gjitha produkteve bazë të jetesës, për shkak të rënies së fuqisë punëtore dhe humbjes së shumë vendeve të punës, për shkak të ikjes masive të të gjitha kategorive qytetare jashtë vendit. Kjo rritje është e papërballueshme dhe nuk duhet të ndodh’’ – tha Shala para deputetëve.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike, sipas Shalës po ndodhë edhe për shkak të ndikimeve politike në ZRrE, KOST e KEK.

“Jemi këtu për shkak të ndërhyrjeve politike në ZRrE, KOST, KEK dhe institucionet tjera energjetike; Jemi këtu sepse kemi negociuar rreth dy vite udhërrëfyesin e energjisë dhe tanimë edhe pas nënshkrimit nuk kemi implementim dhe zbatim të tij; jemi këtu sepse kemi një keqmenaxhim të skajshëm të KEK-ut, mbështetur në kuadro krejtësisht politike dhe jo profesionale; jemi këtu si rezultat i zvogëlimit të kapaciteteve prodhuese në bllokun B2; jemi këtu si rezultat i goditjeve politike ndaj investitorëve në sektorin energjetik të vendit’’ – tha deputeti Shala në Kuvend.

Ai citoi disa vërejtje që kanë pranuar nga Asociacioni Evropian për bashkëpunimin e operatorëve të sistemit të transmisionit (Entso-e), në takimin e mbajtur më datë 7 mars nga Komisioni për Ekonomi dhe dy zyrtarë të lartë të KOST-it.

‘’Vërejtjet e tyre ishin ekstreme si asnjëherë tjetër, veçanërisht për periudhën e fundit dy vjeçare, për vërejtjet në sistemin e balancimit në kohë joreale, pra paplanfikim. Citoj ata në vërejtët që na dhanë direkt për financat e KOSTT-it, për çmimin e lartë që paguajmë si Kosovë, për penalltitë si rezultat i mosplanifikimit dhe mosorganizimit. Citoj ata për shkeljet e marrëveshjes të vitit 2020’’ – tha në mes tjerash Shala.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

Ky paralajmërim është shoqëruar me kritika nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.