Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Ferat Shala i PDK-së pretendon se ka pasur një shpërthim në Termocentralin “Kosova A”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, përmes një video të publikuar me 18.10.2024 në rrjetin social Facebook, ka pretenduar se ka pasur një shpërthim në Termocentralin “Kosova A” në KEK.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim në lidhje me pretendimin e deputetit, ndërsa zëdhënësi i saj, Skënder Bucolli, nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit, për të konfirmuar ose mohuar lajmin e publikuar nga Shala.

“Eksplodim i kazanit “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë” – ka shkruar Ferat Shala në Facebook, duke bashkangjitur edhe një video, në të cilën shihet zjarri.

KALLXO.com përveç thirrjeve telefonike, ka adresuar edhe pyetje me shkrim tek zëdhënësi Bucolli dhe te Korporata Energjetike dhe është në pritje të përgjigjeve zyrtare rreth pretendimit të deputetit Ferat Shala.