Fëmijët e lindur nga 1 janari i 2014 pritet të përfitojnë shtesat prej 10 euro që nga korriku

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se nga sot hapet aplikimi edhe për fëmijët e lindur nga 1 janari i vitit 2014 që të përfitojnë nga Shtesat për Fëmijë.

Në njoftimin e ministrisë potencohet se skema për shtesa do zgjerohet gradualisht, duke shtuar nga një gjeneratë çdo muaj.

“Duke filluar nga ky muaj skema për Shtesat për Fëmijë do të zgjerohet gradualisht, duke shtuar nga një gjeneratë për çdo muaj. Pra, në muajin gusht do të shtohet gjenerata e fëmijëve të lindur në vitin 2013, në muajin shtator gjenerata e fëmijëve të lindur në vitin 2012, e kështu me radhë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Financave thekson se aplikimi i rregullt për Shtesa për Fëmijë bëhet nga nëna dhe se llogaria bankare do të jetë në emër të aplikueses, kurse aplikimi nga babai apo kujdestari ligjor i fëmijës bëhet vetëm në raste specifike.

Gjithashtu, sipas ministrisë, aplikimi për Shtesa për Fëmijë tashmë do të jetë vazhdimisht i hapur në platformën eKosova, kurse pagesa do të bëhet me datë 25, apo ditën vijuese të punës, të çdo muaji.

Këta pritet të përfitojnë nga 10 euro në muaj sipas vendimit të qeverisë.

Në vijim mund të gjeni vegezën për aplikim: https://ekosova.rks-gov.net/Services/SubService?service=312