Fëmijët deri në 10 vjet nuk obligohen të mbajnë maska në shkollë

Fëmijët deri në 10 vjet nuk janë të detyruar të mbajnë maska gjatë qëndrimit të tyre në shkollë.

Sipas ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, udhëzuesi i dalë nga MASh, udhëzon fëmijët deri në moshën 10 vjeçare që të vendosin vetë nëse duan të bartin maskën për mbrojtje nga COVID-19.

“Ne udhëzuesin ende nuk e kemi shpërndarë në shkolla, sot do t’i njoftojmë të gjitha shkollat. Fëmijët deri në moshën 10 vjeçare vullnetarisht mund të vendosin se a do ta mbajnë maskën”, ka deklaruar Likaj në konferencë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të shtunën ka nënshkruar vendimin për masat e përgjithshme për mbrojtje nga pandemia COVID-19.

“Fëmijët e vegjël (p.sh. fëmijët parashkollorë ose ata në klasat e ulëta të fillores) mund të mos jenë në gjendje të bartin në mënyrë korrekte maskën gjatë qëndrimit ditor në shkollë. Megjithatë, nëse përdoren maskat në baza vullnetare, preferohet të bëhet prioritizimi i përdorimit të tyre. Pra, këta fëmijë të bartin maskë atëherë kur është e vështirë të mbahet distanca fizike, si p.sh. pas mbarimit të mësimit kur dalin nga shkolla dhe kur i presin prindërit, ose kur qëndrojnë në rresht në shkollë. Në këto raste duhet kushtuar rëndësi sigurimit të maskave adekuate me madhësi dhe përshtatshmëri adekuate për fëmijët. Po ashtu, ka rëndësi edhe edukimi dhe rikujtimi i fëmijëve për rëndësinë e bartjes së maskave”, thuhet në udhëzues.

Në udhëzim gjithashtu përdorimi i maskës rekomandohet parimisht në këto raste për pjesëmarrësit në komunitet:

  • Te fëmijët mbi moshën 12 vjeçare. Nxënësit fillojnë me maska prej klasës së gjashtë fillore
  • në mjediset publike ku njerëzit janë afër njëri-tjetrit ose aty ku nuk mund të mbahet distanca fizike
  • në mjediset e mbyllura publike
  • në hapësirat e jashtme ku ka grumbullim njerëzish
  • për grupet e rrezikuara të njerëzve dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese
  • në zonat ku ka përhapje të madhe të COVID-19 në komunitet.

Masat e reja anti-COVID-19, MSh publikon udhëzuesin e ri si bartet dhe kur bartet maska – DOKUMENT