Foto: REL/AFP

Fëmijë shqiptarë do të kthehen nga kampet siriane të refugjatëve

Kryeministri shqiptar,  Edi Rama njoftoi se negociatat e fshehta kanë siguruar kthimin nga Siria të disa prej fëmijëve të luftëtarëve të Shtetit Islamik nga Shqipëria pas viteve të kaluara në kampin e refugjatëve.

Rama tha sot se negociatat e ndërmjetësuara nga Gjysmëhëna e Kuqe Siriane kanë siguruar kthimin e katër fëmijëve shqiptarë të cilët kanë qenë të bllokuar në kampe refugjatësh në Siri prej vitesh, si dhe një prej nënave të tyre.

“Ne jemi në mes të një operacioni kompleks të ndihmuar nga forcat tona në terren dhe forca të tjera”, tha Rama për Top Channel.

“Operacioni është në dy faza, pasi u zhvilluan negociata të pafundme sekrete. Me ndihmën e Zotit, ne do të kemi katër fëmijë dhe një nënë të plagosur, ”shtoi ai.

Ai shfaqi shpresën se më shumë fëmijë mund të kthehen nga Siria në fazën e dytë të operacionit.

Menjëherë pas deklaratës së Ramës, Gjysmëhëna e Kuqe Siriane publikoi foto në Twitter që tregon fëmijët duke lënë kampin e refugjatëve al-Hawl. Ajo tha se kishte vepruar pasi kishte marrë një kërkesë nga qeveria e Shqipërisë.

“Ne kemi nevojë për të vazhduar operacione të tilla humanitare për familjet në nevojë”, shkroi Hossam Elsharkawi, drejtori rajonal i Kryqit të Kuq / Gjysmëhënës.

“Fëmijët po transferohen në Damask para se të kthehen në shtëpi,” shtoi ai.

Rreth 51 fëmijë shqiptarë janë bllokuar në Siri që nga fillimi i luftës civile pasi prindërit e tyre u bashkuan me Shtetin Islamik ose grupe të tjera ekstremiste atje.

Shumë prej tyre jetojnë në kampin e refugjatëve al-Hawl, i cili është nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane.

Dhjetëra mijëra njerëz jetojnë në kamp dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar që kushtet tashmë të këqija atje janë përkeqësuar.

Familjarët e fëmijëve protestuan në Tiranë në fillim të këtij viti, duke kërkuar më shumë përpjekje nga qeveria për t’i sjellë në shtëpi.

Rreth 140 shqiptarë nga Shqipëria dihet se janë bashkuar me Shtetin Islamik ose grupe të tjera militante në Siri. BI