Fëmija me inteligjencë të jashtëzakonshme tregon përvojën e saj në sistemin e arsimit në Kosovë

Olta Olluni është një fëmijë i identifikuar me inteligjencë të jashtëzakonshme.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo ka thënë se pasi e ka përfunduar klasën e 9-të, është testuar në Institutin ‘Atomi’ dhe aty është konstatuar se ka inteligjencë të lartë.

“Në atë moshë nuk e kam ditë se çfarë rëndësie ka, pse duhet me u testu për inteligjencë. E kam vërejtur se kam diçka më ndryshe prej fëmijëve përreth, por nuk e kam ditur fiks se çka po më dallon”, ka thënë Olluni.

“Ka qenë për mua më e lehtë me i kap mësimet, ka qenë e lehtë me e kuptu me një të dëgjume, me i kuptu shumë më shpejt sesa moshatarët e mi. Gjithashtu kam pasur kureshtje dhe më shumë interes që me ditë më shumë se çka ka pasë në kurrikulë, zakonisht kam dashtë me hi ma thellë në mësime, e nuk më ka mjaftuar vetëm ajo çka është shkru në libra”, shtoi ajo.

Olta Olluni tutje ka treguar një rast në shkollën fillore, ku mësuesja e saj kishte rekomanduar që të kalojë disa klasë.

“Në shkollë fillore më kujtohet që mësuesja ka propozu që unë me i kalu disa klasë, por kjo nuk ka ndodhë për shkak që mos me qenë në moshë më e vogël, në krahasim me të tjerët’, ka thënë ajo.

Olluni ka thënë se për një person me inteligjencë të jashtëzakonshme është sfidë sistemi i arsimit në Kosovë.

“Gjithashtu është edhe një sfidë në arsim kur je person me inteligjencë të jashtëzakonshme, sepse sistemi dhe kurrikula e arsimit më shumë fokusohet në memorizim, përsëritje, mësime të gjata. Kurse një person me inteligjencë të jashtëzakonshme e ka shumë të lehtë me zgjidhë probleme, por që i humb fokusi kur ka me mësu faqe të gjata, mësime të gjata. Këtë sfidë e kam vërejtur edhe vet”, ka thënë ajo.