Femicidi: Greqia përballet me vrasjet e grave dhe vajzave

Të tronditur nga një valë vrasjesh, a munden shoqëria greke, media dhe autoritetet të ndryshojnë mënyrën se si ata e shikojnë vrasjen e grave?

Më 22 shtator, një grua greke e quajtur Dora Zacharia u qëllua për vdekje nga ish-partneri i saj. Burri, i cili më pas vrau veten, thuhet se kishte një histori sjelljeje shtypëse.

Zacharia ishte viktima e 11-të e femicidit – vrasjes me dashje të grave sepse janë gra – në Greqi këtë vit.

Më 25 shtator, një banderolë u shpalos në një protestë në Sheshin Syntagma në Athinë ku shkruhej: “Ata po na vrasin. Ata po na vrasin. ” Vetëm disa ditë më vonë, një burrë i moshuar vrau gruan e tij dhe kreu vetëvrasje në rajonin Argolida në jugperëndim të kryeqytetit grek.

Të dhënat zyrtare dhe vëzhgimet e OJQ-ve në terren tregojnë për një rritje të shkallës së femicideve në një sërë vendesh, sidomos që nga lehtësimi i kufizimeve të COVID-19.

Gjatë tre muajve të verës në Greqi këtë vit, dy gra u vranë çdo muaj nga partneri ose ish-partneri i tyre. Midis vitit 2010 dhe 2020, një total prej 329 vrasjesh kanë ndodhur, sipas të dhënave të marra nga BIRN nga Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve, 111 prej tyre rezultat i dhunës në familje.

Belgjika regjistroi 13 vrasje në katër muajt e parë të këtij viti, krahasuar me 24 në të gjithë vitin 2020. Në Spanjë, midis përfundimit të izolimit në maj dhe fundit të qershorit, çdo tri ditë u vra një grua.

“Ky përshkallëzim global i vrasjeve të femrave, forma më ekstreme e dhunës me bazë gjinore, muajt e fundit ka të ngjarë të jetë e lidhur me rritjen e dhunës në familje gjatë periudhës së karantinës, ku sjellja e mëparshme e dhunshme në një marrëdhënie u bë më e shpeshtë, më kërcënuese, më e rrezikshme”, tha Natassa Kefallinou, menaxhere komunikimi në Center Diotima, një organizatë jofitimprurëse, joqeveritare për gratë.

“Dikush mund të mendojë se tani që masat kufizuese janë hequr, abuzuesit po bëhen edhe më të dhunshëm, duke ndjerë se po humbasin kontrollin shoqëror mbi viktimat e tyre.”

Mirëpritet ndryshimi në mbulimin mediatik

 

Një numër në rritje grash në Greqi po e raportojnë në polici abuzimin që ato përjetojnë në familje.

Në vitin 2019 janë bërë 5527 kallëzime për dhunë në familje, ku viktimat në 75 për qind të rasteve janë gra. Në vitin 2020, ai numër u rrit në 5,809, me një pjesë të ngjashme të grave që ishin viktima, dhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti norma u rrit përsëri, me 2,972 kallëzime të bëra.

Rritja graduale vjen në sfondin e lëvizjes “Me too” në Greqi pas akuzave publike për abuzim seksual të shprehura nga atletja olimpike Sofia Bekatorou në janar 2021. Më pas në maj, britanikja 20-vjeçare Carolina Couch u vra nga bashkëshorti i saj grek, e ndjekur nga dy vrasje të tjera grash në korrik, të cilat tronditën shumë shoqërinë greke.

“Intensiteti i dhunës me bazë gjinore në periudhën e masave kufizuese, por edhe raportimi i madh që u është bërë çështjeve të abuzimit, #metoo greke, shtoi frikën e të mbijetuarave dhe bëri që shumë prej tyre të gjenin forcën për të kërkuar ndihmë për t’i shpëtuar abuzimit”, tha Kefallinou. “Zakonisht, shumë na kanë thënë se nuk donin të kishin të njëjtin fat si Caroline.”

Ka gjithashtu shenja që media po fillon ta shikojë fenomenin nga një këndvështrim tjetër.

Në qershor, kanali televiziv Star publikoi një histori nën titullin, “Kur dashuria bëhet urrejtje – shtatë krime pasioni që tronditën Greqinë”, një interpretim që ishte i përhapur më parë në mediat greke. Termi “femicid”, megjithatë, ka filluar të ketë sukses.

“Unë mendoj se vitet e fundit, dhe veçanërisht muajt e fundit, disa media kanë filluar të kuptojnë si madhësinë ashtu edhe natyrën e problemit dhe se sa shumë po ndryshon pikëpamja e shoqërisë dhe se sa shumë ajo duhet të ndryshojë”, tha Stella Kasdagli, bashkë-themeluese e “Women on top”, e cila punon për të promovuar barazinë në vendin e punës.

“Ndoshta edhe ata e kuptojnë rolin e tyre në këtë ndryshim dhe kjo, mendoj, është gjëja më e rëndësishme”, tha ajo për BIRN. “Nëse brenda pak muajsh mund të kalojmë nga ‘krime pasioni’ në “femicid’, ndoshta kjo do të thotë diçka optimiste në lidhje me aftësinë e shoqërisë greke për të ndryshuar ngadalë mentalitetin e saj.”

Giannis Souliotis, një gazetar me vite përvojë në mbulimin e kronikës së zezë për të përditshmen konservatore Kathimerini, tha se ishte e rëndësishme që gazetarët të përqendroheshin te faktet.

“Këshilla ime për kolegët është që të qëndrojnë të përqendruar në raportimin… dhe në një prezantim neutral të ngjarjeve, pa emocione dhe pa mbajtur një qëndrim”, tha ai.

Më shumë trajnime, por policia ende bën gabime “katastrofike”

 

Në korrik, pati një debat të madh pasi një grua 31-vjeçare u godit për vdekje me thikë nga burri i saj në një periferi të Athinës. Disa orë më vonë, një fqinj shkroi në Facebook se ajo e kishte denoncuar burrin në polici javë më parë për dhunë në familje, por një makinë patrullimi thjesht ndaloi jashtë banesës së saj, hapi dritaren dhe pastaj u largua.

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve i tha BIRN se kishte urdhëruar një hetim zyrtar dhe se punonjësit e policisë në fjalë ishin pezulluar.

Policia duket se po bën disa përpjekje për të përmirësuar reagimin e saj ndaj dhunës në familje. Në vitin 2019, u krijua një Shërbim special për Dhunën në Familje me 73 degë në të gjithë vendin dhe Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve i tha BIRN se tani ekziston një seksion i veçantë për dhunën në familje si pjesë e trajnimit në akademinë e policisë, mes nismave të tjera për të përmirësuar të kuptuarit e oficerëve të policisë për këtë çështje dhe mënyrën e trajtimit të saj.

Por vazhdojnë të bëhen gabime.

“Vitet e fundit, policia greke po kërkon të trajnojë anëtarët e saj”, tha Niki Roditi, një avokate dhe kryetare e “Medusa Survivor”, një shoqatë për viktimat e dhunës në familje, abuzimit seksual dhe dhunës ndaj të miturve. “Në praktikë, megjithatë, bëhen shumë gabime me pasoja katastrofike.”

“Kur ka një kallëzim për dhunë në familje, roli i policisë është të arrestojë autorin e krimit dhe të mos këshillojë dhe ndërmjetësojë apo edhe ta nxisë viktimën të mos bëjë një kallëzim”, tha Roditi për BIRN. “Në disa raste, nëse policia dhe zyra e prokurorit do të kishin vepruar në kohë, ne nuk do të kishim viktima.”

Në prill, një grua 28-vjeçare në qytetin port të Volosit i kërkoi prokurorëve dhe policisë që të ndërhynin dhe të vendosnin kufizime ndaj ish-bashkëshortit të saj. Në vend të kësaj, disa orë pasi u lirua nga policia, burri vrau gruan dhe vëllain e saj.

Masa institucionale

Kefalliou nga Qendra Diotima tha se për të trajtuar realisht çështjen, do të nevojiteshin “masa të guximshme institucionale”, si njohja ligjore e termit “femicid” dhe sigurimi i strehimit, mbështetjes psikologjike afatgjatë dhe ndihmë juridike falas për gratë viktima të dhunës në familje.

“Është gjithashtu e rëndësishme të kultivohet një kulturë tolerance sociale zero ndaj dhunës me bazë gjinore, me kontributin e arsimit, mediave dhe shoqërisë civile”, tha Kefallinou.

Sipas ndryshimeve të reja, të vonuara në Kodin Penal grek, autorët e krimeve seksuale dhe dhunës në familje përballen me dënime më të ashpra.

“Dënimi për krime të tilla të tmerrshme ishte nën standardin ose madje edhe inekzistent”, tha Roditi. “Ndryshimi i ardhshëm në ligj është për shkak të sasisë së madhe të informacionit që ekziston, por edhe për shkak të nevojës së njerëzve për të parë të vendoset drejtësi.”/Reporter.al