Fejzullahu: Nga vendosja e bllok-tarifave është kursyer rreth 7% e energjisë elektrike

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike është duke intervistuar kryesuesin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu.

Fejzullahu ka thënë se vendimi për vendosjen e bllok-tarifave në fillim të këtij muaji ka pasur efekt të jashtëzakonshëm në kursim të energjisë.

Fejzullahu tha se me vendosjen e bllok-tarifave është kursyer rreth 7 për qind e energjisë elektrike.

“Kemi rënie prej 7% të konsumit, efekti i bllok-tarifave ka qenë i jashtëzakonshëm. Kjo ka dërguar një sinjal tek konsumatorët për kursim. Në momentin që është vendos bllok-tarifa menjëherë në shkurt ka filluar kursimi. Kemi kursim të parasë dhe energjisë. Ndërsa,  këtë vit pritet deri 10%. Pra paratë qe kanë mundur të shkojnë në import janë kursyer”- tha ai.

Deputeti i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, AAK, Pal Lekaj, pyeti nëse vendimi për bllok-tarifa ka qenë diskrimimues.

“A mendoni se ka qenë gabim i ZRRE-së dhe i Qeverisë Kurti shtrenjtimi i energjisë elektrike duke e ditur gjendjen ekonomike të qytetarëve. A është diskriminues vendimi për t’i kategorizuar qytetarët për tarifa?”- tha ai.

“Besoj që ju e dini që një vendim për bllok-tarifa ka qenë deri më 2017. ZRRE e ka për obligim që secilës kategori t’ ia reflektoj koston e shpenzimit”- u përgjigj Fejzullahu.

Abelard Tahiri, deputet i PDK-së pyeti se si është ardhur deri të propozimi i ngritjes së çmimet të energjisë dhe cilat kanë qenë raportet që ZRRE u është referuar.

“Aplikacioni është publik, komentet janë publike, kërkesa nga të licencuarit po ashtu”- tha Fejzullahu.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se pse vendimi për ngritjen e çmimit të energjisë ka nisur së zbatuari në fillim të shkurtit dhe jo në mars.

“Pse kjo barrë me ju vendos popullit kur operatori thotë se nuk ka nevojë më herët. Ju keni obliguar konsumatorët që të nisin së paguari energjinë më shtrenjtë më herët, edhe pse KEDS/KESCO kanë thënë që është në rregull që të nis edhe prej marsit” – tha Selamanaj.

Fejzullahu tha se çdo shtyrje do të ishte kosto shtesë.

“Për shkak se shqyrtimi i jashtëzakonshëm e ka këtë funksion që sa më herët të nis reflektimi i kostos. Për ZRRE-në ka qenë e domosdoshme që të nis sa më herët. Çdo vonesë në pagesë nga konsumatorët drejt të licencuarit do të duhej të paguhej me normë të interesit. Ne jemi munduar maksimalisht që të mbrojmë konsumatorët. Çdo shtyerje do të ishte një kosto shtesë”- tha Fejzullahu.