Fejzullahu: Ka pasur kompani të palicencuara nga ZRrE-ja që operuan në Kosovë

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu është intervistuar nga Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga qeveria.

Fejzullahu shpjegoi se në tetor të vitit të kaluar ka pas rritje enorme të çmimit të importit të energjisë dhe menjëherë ka pas kërkesë nga KESCO për shqyrtim të tarifave me që rast Ministria e Ekonomisë ka themeluar task forcën për vlerësimin e çmimeve enrome në tregun e energjisë.

“Në kuadër të konkluzioneve një nga konkludimet kryesore është që çmimet kanë pas rritje enorme, kanë qene të papërballueshme për konsumatorin dhe është paraparë subvencionimi që kjo rritje mos të shkoj te konsumatori fundor. Ne konform legjilsacioni e kemi përgatit raportin konsultativ dhe është vleru kosto që ka rezultuar nga ngritja e çmimeve dhe mënyra më e mirë është që qeveria të ndaj mjete për subvencionim”, tha Fejzullahu.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala pyeti se sa kompani të palicencuara kanë operuar në Kosovë gjatë kësaj periudhe.

Kryesuesi i bordit të ZRrE-së tha se ka informata që ka pasur kompani që kanë operuar pa licencë.

“Nuk e di saktë numrin sipas raportit kemi informatë që ka pas. I kemi i formu menjëherë KOSTT, KEDS, KESCO  që nëse dikush po operon pa licencë ata duhet të vijnë të licencohen menjëherë. Sa kanë qenë nuk e di. Kemi informata që ka pas tregtar që kanë operu gjatë kësaj kohe… Kemi kërku mi ndalu se di a mund të jetë një dy apo tre. Siç e di unë ka qenë një kompani. Konform legjislacionit në fuqi stafi i ZRrE po i ndërmerr hapat”, tha Fejzullahu.

“Këto kompani sa kanë qarkulluar kilovat energji a kanë shit, a kanë ble, cili është hapi juaj juridik. Çka ka ndërmarr rregullatori që këto kompani përveç mi licencu po a keni ndërmarr diçka tjetër”, ka vazhduar pyetjen, deputeti Shala.