Fejzullahu: Duhet të ketë studime për përballueshmërinë e konsumatorëve për secilin lloj të energjisë

Ymer Fejzullahu, udhëheqës i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRRE i ftuar në konferencёn lokale “Politikat e Energjisё sё Ripёrtërishme nё Kosovё” tha se Kosova duhet të ketë një studim për përballueshmërinë e konsumatorit në lidhje me energjinë.

Sipas Fejzullahut ky studim duhet të bëhet para se të nënshkruhet marrëveshja për pranimin e caqeve të reja.

Sipas tij, në Kosovë ka burime më të shumta të energjisë solare dhe të erës, porse ende nuk dihet se sa mund ta përballojë xhepi i qytetarëve secilën nga llojet e energjisë.

“Nuk e di a është fat i mirë apo fat i keq që në vitin 2020 kur kanë përfunduar caqet e obliguara tash pothuajse tashmë janë të padraftuara edhe strategjia e energjisë dhe plani për energji dhe klimë dhe duhet njëherë e mirë politika të qëndrueshme. Ka pasur mungesë të politikave të energjisë së ripërtërishme. Kur janë vendosur caqet në vitin 2011 është bërë një studim me mbështetjen e BB se cila është politika më e mirë për implementimin e caqeve e edhe atëherë kanë qenë fitim tarifat, ankandet, fitim premiumi dhe forma e subvencionimit direkt. Banka Botërore ka sugjeruar që të shkohet me tarifa nxitëse që i nxisin investitorët me ardhë me investu pasi Kosova ka qenë treg i vogël dhe ka qenë e suksesshme. Në vitin 2017 kemi parë se ka mjaft investitorë dhe pastaj kemi shkuar me fitim premium dhe ankande. Në bazë të studimit shihet se ka burime të erës dhe solare por s’ka studim se sa duhet të jetë përballueshmëria e konsumatorit. Duhet të bëjmë studime që të kenë kosto sa më minimale për konsumatorët”, ka thënë Fejzullahu.

Ymer Fejzullahu Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“BIRN Kosova”, nё partneritet me “CEE Bankwatch”, “ERA Group” dhe “TV Mrezha”, mbajtën konferencёn lokale “Politikat e Energjisё sё Ripёrtërishme nё Kosovё”.

Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra, drejtoreshё e BIRN Kosova, mbajtur më 28 qershor, ishin të pranishëm edhe Pippa Gallop – këshilltare e Energjisë në Ballkanin Perëndimor nga “CEE Bankwatch”, Jeta Statovci – deputete në Kuvendin e Kosovës dhe zëvëndëskryetare e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ymer Fejzullahu – udhëheqës i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në Zyrën e Rregullatorit për Energji, Besiana Berisha – zyrtare e lartë nga Departamenti i Energjisë, Divizioni për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë, Efiçiencës dhe Bashkëprodhimit, Dajana Berisha – bashkëthemeluese e ‘Konzorciumit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë’ (KOSID) dhe, Trim Tërnava – CEO në ‘Jaha Solar Panel’ dhe konsulent i energjisë së ripërtëritshme.

Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin kryesisht të fokusuara në politikat e energjisë së ripërtërishme në Kosovë dhe zhvillimin e ngadaltë të energjisë së gjelbër. Gjithashtu, panelistët ofruan njohuritë e tyre në ndikimin e sektorit të energjisë në mjedis dhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe rekomandime për politikat e ardhshme, të cilat do të ndihmojnë në integrimin e burimeve të ripërtërishme në energjinë e Kosovës. Në fund të diskutimit, në mes të panelistëve, të pranishmit në audiencë paten rastin t’i adresojnë shqetësimet e tyre duke bërë pyetje dhe duke marrë pjesë në diskutim.

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”. “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, do shtrijnë aktivitetin deri më 7 korrik 2021.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.