Fehmije Gashi-Bytyqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Fehmije Gashi-Bytyqi: Deri në vitin 2013 nuk ka qenë dispozita që precizon kohëzgjatjen e hetimit

Një prej arsyeve pse janë parashkruar lëndët e krimeve seksuale ka qenë edhe konfuziteti në ndarjen e lëndëve si dhe fakti se nuk ka qenë e precizuar kohëzgjatja e hetimeve për raste të tilla.

Kështu ka thënë në emisionin “Kallxo Përnime” avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

“Njëra ndër arsyet pse janë parashkruar këto vepra penale të krimeve seksuale dhe në njëfarë mënyre janë amnistuar këta kryerës të pretenduar është edhe fakti se në vitin 2013 kemi Ligjin për gjykatat dhe prokuroritë, i cili nga pesë rajone të njohura si prokuroritë e qarkut, tani është zgjeruar dhe ka kaluar në shtatë rajone. D.m.th. është shtuar Ferizaj dhe Gjakova”, ka thënë avokatja.

Sipas saj, në gjykata ka pasur konfuzitet e vonesa gjatë ndarjes së lëndëve.

Avokatja tha se deri në vitin 2013, nuk ka pasur dispozita precize për kohëzgjatjen e hetimeve.

“Nga praktika e di se aty ka qenë një konfuzitet shumë i madh e zgjatje deri sa janë ndarë, përveç kësaj, është më rëndësi që ndoshta kur bën hetim këshilli prokurorial apo gjyqësor do e shohin edhe një mangësi që e ka pasë Kodi i procedurës penale, ku për dallim prej atij që ka hyrë në fuqi në vitin 2013 dhe që tani është aktual që precizon saktë sa mund të jetë koha e hetimeve. Pra deri në vitin 2013 nuk ka qenë dispozita e precizuar saktë sa duhet të zgjasë hetimi, këtu është marrë në thua”, ka thënë ajo.

“Tani precizon Kodi ndryshe edhe për policinë e prokurorinë, çdo ditë po profesionalizohet  më shumë ky drejtim”, shtoi avokatja.

Ngecjet e gjyqësorit në trajtimin e krimeve seksuale