Federatat e Futbollit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë do të rindërtojnë tri shtëpi në Durrës

Federatat e Futbollit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë rënë dakord që të kujdesen për rindërtimin e tri shtëpive të rrënuara nga tërmeti vdekjeprurës i së martës.

“Ky bashkëveprim i tri federatave simotra do të kontribuojë sadopak në rindërtimin e qytetit të Durrësit, i cili ka pësuar rrënime të shumë objekteve, ku si pasojë kanë humbur jetën shumë njerëz”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sot presidenti Agim Ademi ka udhëtuar në Tiranë bashkë me presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini dhe dy anëtarët e KE të FFK-së, Bekim Rexhepi e Mirsad Çollaku.

Me këtë rast, ata, vizituan FSHF-në ku u pritën nga presidenti Armand Duka dhe sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku.

Pas këtij takimi dhe disa vizitave në zonat e prekura, krerët e të tri federatave vendosen që bashkërisht të kujdesen për ndërtimin e tri shtëpive të rrënuara për strehimin e tri familjeve të prekura nga tërmeti shkatërrues.

“Presidenti Ademi dhe homologët e tij gjatë kësaj vizite u ndjen shumë të prekur nga ajo çfarë panë në Durrës, ku edhe sot janë duke punuar ekipet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e njerëzve nën rrënojat e objekteve”, thueht në njoftimin e FFK-së.