Angela Merkel dhe Edi Rama, Foto: ABC News

Federata Evropiane e Gazetarëve reagon pas injorimit që u bëri Edi Rama gazetarëve nga Kosova

Gazetarët nga Kosova gjatë ditës së sotme janë privuar nga e drejta për të bërë pyetje në  konferencën e përbashkët në Tiranë me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Kështu ka bërë të ditur juristja e të drejtës për media, Flutura Kusari, përmes rrjetit Facebook.

“Sot gazetarët nga Kosova kanë përjetuar atë që gazetarët në Shqipëri e përjetojnë që kur se Rama ka ardhur në pushtet. Janë privuar nga e drejta për të bërë pyetje”, tha ajo.

Lidhur me këtë veprim ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, e cila përmes rrjetit Twitter dënoi këtë ndarje skandaloze të gazetarëve nga Kosova.

“Turp për kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili qëllimisht shpërfilli pyetjet e gazetarëve kosovarë. Federata europiane e gazetarëve e dënon këtë ndarje skandaloze”, thuhet në reagimin e tyre.

Në fund të mandatit të saj si kancelare, Merkel po qëndron në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, nismë e nisur vite më parë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo sot ka deklaruar se ky proces është i pazëvendësueshme dhe se BE-ja duhet të mbajë premtimet e saj për vendet që kanë plotësuar kriteret për hapat drejt anëtarësimit në bllokun evropian.