Federata e Sindikatave të Shëndetësisë me padi ndaj ministrit Hekuran Murati për '3 milionëshin e përmendur'

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë do të padisë nesër ministrin e financave, Hekuran Muratin.

Lajmin për padine e ka bërë të ditur, kryetari FSShK-së, Blerim Syla.

“Po është problemi se ai ka me m`i kthy 240 mijë euro, unë kam me shku mandje në gjykatë sepse është e vetmja sindikatë që këtij shteti i ka pagu tatimin, qato pare i ka marrë Hekuran Murati”, tha Syla për KALLXO.com.

Duke thënë se nuk dëshiron të merret farë me ministrin Murati, kryetari i FSSH-së thotë se padia është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet nesër në Gjykatë.

Ministri i financave Hekuran Murati përmes një shkrimi në facebook e ka akuzuar Federatën e Sindiaktave të Shëndetësisë se për pesë vite i ka marrë 3 milionë euro dhe, sipas tij nuk dihet se ku kanë shkuar ato para.

Paralajmërimet për grevë nga sindikatat e shëndetësisë, Murati i ka cilësuar politike.

“Kurse ata që paralajmërojnë greva nuk humbin. Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para”, ka shkruar ai.

Të gjithë mantelbardhët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe në shtatë spitalet rajonale në vend nga ora 7:00 deri në orën 15:00 nuk do të ofrojnë asnjë shërbim për pacientët, duke përjashtuar rastet emergjente dhe pacientët të cilët janë të shtrirë në spitale.Grevistët kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Projektligji i pagave për sektorit publik dhe si dhe implementimi i Ligjit për paga në buxhetin 2022.

Në rast se kërkesat e tyre nuk përmbushën, kryetari i sindikatave të shëndetësisë, Blerim Syla thotë se do të vazhdojnë përsëri me grevë, “do të mbajmë grevë gjithë ditore çdo ditë, nëse nuk i përmbushin kërkesat tona deri të enjten e javës së ardhshme”, tha Syla për KALLXO.com.

Greva është organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës.

Punonjësit shëndetësor në grevë tetë orëshe