Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë kërkon përkrahjen edhe të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për pagesat shtesë

Federata Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar gjatë ditës së sotme se pas përpjekjeve të vazhdueshme i është drejtuar edhe njëherë kryeministrit të vendit me kërkesën për pagesën shtesë.

Në njoftim thuhet se FSShK i është drejtuar kryeministrit me kërkesë urgjente për plotësim/ndryshim të vendimit me nr. 05/18 të datës 29 korrik 2020.

“Po kësaj radhe FSSHK i është adresuar edhe krerëve të partive politike që përbëjnë koalicionin qeverisës Ramush Haradinaj-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj-Nisma Social Demokrate, duke ia sqaruar situatën e krijuar, diskriminimin, demotivimin e të punësuarve në institucione publike shëndetësore me Vendimin e Qeverisë për shtesat mbi pagë prej 300 euro duke bërë selektim të përfituesve të kësaj shtese e si për pasojë me mijëra punëtorë nuk i kanë marr shtesat”, thuhet në njoftim.

FSShK ka bërë të ditur se ka kërkuar  nga krerët e koalicionit që të ndikojnë tek Hoti që urgjentisht të bëjë plotësim-ndryshimin e vendimit duke i paraparë në  pagesën shtesë të  gjithë të punësuarit në institucione shëndetësore publike.

FSShK ka bërë të ditur se nëse përfundimisht nuk do të ndryshojë gjendja në favor të punësuarve në institucione shëndetësore atëherë do të jenë të detyruar të ndërmarrin veprime sindikale deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Duke e ditur që sot pikërisht mbushen 6 muaj nga fillimi i luftës kundër kësaj pandemie, e ku punëtorët shëndetësor dhe stafi mbështetës ka punuar pa pushim dhe po ashtu kemi pasur numër të konsiderueshëm të infektuarve dhe të vdekurve konsiderojmë se sjellja e Qeverisë ndaj këtyre të të ashtuquajturve heronj është totalisht jo serioze”, thuhet në reagim.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’u ndajë nga 300 euro si shtesa mujore për punëtorët shëndetësorë, të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj rrezikut të infektimit me COVID-19.

Sipas vendimit, këto mjete do t’u ndahen mjekëve dhe infermierëve për muajin korrik dhe gusht.