Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Federata e Shëndetësisë reagon për mosmarrjen e pagës stimuluese nga rreth 8 mijë punëtorë shëndetësorë

Federata e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës  i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti duke shprehur pakënaqësi  për mos marrjen e pagave shtesë nga Pako Emergjente të rreth 8 mijë punëtorëve shëndetësorë.

“Rreth 8000 punëtorë në shëndetësi ende nuk i kanë marrë shtesat e parapara, prandaj kërkojmë nga ju edhe njëherë që ta nxjerrni një vendim shtesë me të cilin do të përfshihen të gjithë të punësuarit të cilit gjenden në listën e pagave në Ministri të Shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje në njoftim, Sindikata thotë se vërejtje në lidhje me këtë çështje kanë adresuar edhe më herët por nuk janë marrë seriozisht.

“Po ju rikujtojmë se neve ju kemi tërhequr vërejtjen disa herë që kjo mund të shkaktoj pakënaqësi të madhe andaj ju lutem, merrni seriozisht kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

Pako Emergjente është krijuar në muajin mars, kur në Kosovë u shfaq rasti i parë i infektuar me COVID-19, dhe lëvizja e lirë u kufizua. Brenda kësaj pako ishte paraparë edhe një pagë stimuluese prej 300 eurove për punëtorët shëndetësorë si luftëtarë në front me coronavirusin.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime lidhur me pretendimet e sindikatës tek Ministria e Shëndetësisë por ende nuk ka marrë përgjigje.