Federata e Futbollit të Kosovës shqyrton raportimet për kurdisje të ndeshjeve

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka shqyrtuar raportimet lidhur me pretendimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin vendor, për të cilat raportuan mediat franceze të enjten mbrëmë.

Sipas FFK-së, janë marrë të gjitha masat e nevojshme, është ftuar në raportim zyrtari mbi Integritetin e Garave, i cili ka njoftuar se të gjitha parregullsitë janë njoftuar me kohë tek organet kompetente.

“Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale.

FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi, thuhet në reagim.

Federata kosovare ka thënë se vazhdimësi i monitoron të gjitha ndeshjet, në partneritet të plotë me kompanitë e aranzhuara nga UEFA rreth kësaj çështje.

“FFK tash e disa vjet nëpërmjet zyrtarit të saj për Integritet të Garave dhe UEFA-në, kanë mbajtur seminare dhe takime me stafe të klubeve dhe futbollistë për sensibilizim në parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll” – thuhet tutje në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është duke i trajtuar dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin vendor, për të cilat raportuan mediat franceze të enjten mbrëmë.

Media franceze “Le Parisien” ka raportuar për 9 të arrestuar në Francë, prej tyre katër nga Kosova, të cilët akuzohen për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve të ndodhura në futbollin kosovar përmes kompanive të basteve.

“Le Parisien” e përmendi emrin e klubit të futbollit Llapi, si protagonist i kurdisjeve duke i akuzuar si të përfshirë kryesinë e klubit, shtabin teknik dhe disa lojtarë.

Klubi nga Podujeva dje ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare, duke mohuar çdo pretendim të mediave franceze.

Prokuroria nis hetimin mbi dyshimet për kurdisje të ndeshjeve të futbollit