FC Ballkani jep detaje për gjendjen e portierit që u sulmua sot në Gjilan

Klubi futbollistik nga Suhareka, Fc Ballkani, ka deklaruar se portieri i tyre që u sulmua sot, Stiv Frashëri, është jashtë rrezikut për jetë ku në emergjencën e spitalit ne Gjilan i ka bërë analizat fillestare, ndërsa shtojnë se është i udhëzuar për të bërë rezonanca shtesë pasi ka shtypje të brendshme.

Klubi suharekas i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë që të bëjnë “çmos për të vënë drejtësinë me qëllim që raste te këtilla mos të përseritën asnjëherë”.

“Të ju përkujtojmë se SC Gjilani në Suharekë ka marr pikët e plota si mysafir, por asnjëherë nuk i’u është rezervuar pritja e këtill si kjo e sotit pasi ne si klub i kemi raportet shume te mira me të gjitha klubet. Futbollistët e rivalit tonë të sotshem i përgëzojmë për angazhimin dhe lojën e shfaqur, ndërsa organizimin e ndeshjes derbi i’a lejmë organeve kompetente që të vlerësojnë dhe gjykojnë brenda rregulloreve te FFK-se Huliganizmi i shfaqur pa përfunduar ndeshja kryesore e kësaj xhiroje askujt nuk i shkon për shtati, andaj ftojmë policin e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë që të bëjnë çmos për të vënë drejtësinë me qëllim që raste te këtilla mos të përseritën asnjëherë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Portieri i klubit suharekas, Stivi Frashëri, është sulmuar nga disa tifozë të FC Gjilani teksa po zhvillohej ndeshja mes dy klubeve, e vlefshme për Superligën e Kosovës.

Kryesia e tifozëve të klubit të futbollit Gjilani – “Skifterat” ka reaguar pas sulmit të tifozëve ndaj portierit të KF Ballkani, Stivi Frashëri, i cili si pasojë e lëndimeve është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit.

Kryesia e “Skifterave” thotë se distancohet publikisht nga akti të cilin e ka cilësuar si të shëmtuar dhe kanë deklaruar dorëheqjen.

Aktin e kanë dënuar edhe kryetarët e dy komunave – Gjilan dhe Suharekë.