FBI ka gjetur një dokument mbi mbrojtjen e huaj bërthamore në rezidencën e Trumpit

FBI ka gjetur një dokument që përshkruan aftësitë bërthamore të një qeverie të huaj gjatë kontrollit të saj në Mar-a-Lago, raportoi të martën gazeta prestigjioze amerikane, Washington Post.

The Washington Post, duke cituar burime, nuk e identifikoi qeverinë e huaj të përmendur në dokumentin që përshkruan mbrojtjen ushtarake të vendit.

Përmbajtja e më shumë se 11,000 dokumenteve qeveritare dhe fotografive të agjentëve të FBI-së të gjetura nga pasuria e Donald Trump në Florida muajin e kaluar nuk është zbuluar, por raportimi i mëparshëm nga Washington Post tregoi se dokumentet e klasifikuara në lidhje me armët bërthamore ishin ndër artikujt që kërkoheshin nga autoritetet federale.

Disa nga të dhënat e sekuestruara nga pasuria e Donald Trump në Florida zakonisht ruhen nga afër, raportoi gazeta dhe kanë “një oficer kontrolli të caktuar” për ta monitoruar vendndodhjen e dokumenteve.

Ndër të dhënat e gjetura nga FBI ishin dokumente që i detajojnë operacionet top-sekret të SHBA-së që kërkojnë leje speciale “në bazë të nevojës për të ditur”, përtej një lejeje top-sekret, sipas raportit të Washington Post. Disa nga zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare të administratës Biden nuk ishin të autorizuar t’i shqyrtonin disa nga dokumentet sepse ato janë kaq të kufizuara, shkruan tutje The ëashington Post.

Ish presidenti amerikan Trump është nën hetim nga departamenti i drejtësisë për largimin nga ana e tij të paautorizuar të të dhënave shumë të ndjeshme të qeverisë nga Shtëpia e Bardhë dhe për ruajtjen e tyre në mënyrë të parregullt në Mar-a-Lago.

Gjetjet janë kthesa e fundit në një sagë javore që filloi kur agjentët e qeverisë amerikane kryen një kontroll të paprecedentë në shtëpinë e ish-presidentit në Florida. Trump e ka sulmuar departamentin, duke përfshirë një tubim të fundjavës, ku ai e quajti FBI-në dhe DOJ-në “përbindësh të egër”. Shumë të tjerë, përfshirë ish-prokurorin e përgjithshëm të Trump, William Barr, e kanë mbrojtur hetimin për mbajtjen e të dhënave të qeverisë nga ana e tij, duke thënë se kjo përbën një rrezik të madh të sigurisë kombëtare. /The Washington Post