
FBI, Foto: Facebook
FBI ia dorëzon Departamentit të Drejtësisë të Trumpit emrat e agjentëve të rasteve të 6 janarit
FBI i ka dorëzuar Departamentit të Drejtësisë emrat e agjentëve të cilët janë marrë me çështjet e lidhura me trazirat e 6 janarit 2021, pas kërkesës së re nga Ushtruesi i Detyrës së Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, duke i dhënë fund mospajtimeve njëjavore midis lidershipit të Byrosë, që kishte kërkuar të mbronte identitetin e agjentëve e stafit dhe Departamentit të Drejtësisë – raporton të premten, më 07.02.2025, televizioni amerikan CNN.
FBI është pajtuar të ofrojë emrat përmes një sistemi të klasifikuar që të mbrohen punonjësit nga identifikimi publik, i është thënë stafit në një email që të enjten ua ka dërguar ushtruesi i detyrës së drejtorit, Brian Driscoll.
“Dua të jem i qartë se deri tani nuk kemi informacion që tregon se Departamenti i Drejtësisë synon t’i shpërndajë këto lista publikisht dhe ata janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet që ne besojmë se janë të qenësishme.” – ka shkruar Driscoll në email. “Ne do t’ju njoftojmë menjëherë nëse mësojmë qëllimet e Departamentit në lidhje me këto ndryshime të listave”.
Kërkesa e së enjtes e Departamentit të Drejtësisë u bë pasi Byroja në fillim të kësaj jave fshehu emrat e mijëra punonjësve dhe në vend të kësaj transmetoi informacione bazuar vetëm në numrat e identifikimit të punonjësve – sipas një emaili të siguruar nga CNN.
Ka disa ditë që lidershipi i FBI-së dhe i Departamentit të Drejtësisë kanë pasur përplasje se si të mbrohen informacionet e mbledhura si pjesë e rishikimit të hetimeve të lidhura me 6 janarin – duke përfshirë atë ndaj presidentit Donald Trump. Të martën FBI dorëzoi informacione për më shumë se pesë mijë punëtorë, duke përfshirë numrat e identifikimit, pozitat dhe rolin e tyre në hetimet e 6 janarit, por jo edhe emrat e tyre.
Në Memorandume, ushtruesi i detyrës së zëvendësprokurorit të përgjithshëm, Emil Bove ka deklaruar se informacioni nuk u mblodh për hakmarrje ndaj agjentëve të cilët punuan në hetime, duke shkruar se “të vetmit individë që duhet të shqetësohen për procesin e nisur nga shkresa ime e 31 janarit 2025 janë ata që kanë vepruar me qëllime korruptive ose partiake, sfidonin rreptësisht urdhrat nga lidershipi i Departamentit, ose ushtronin diskrecionin për ta përdorur si armë FBI”.
Bove akuzoi të mërkurën udhëheqjen e FBI-së për “mosbindje”, pasi refuzoi të identifikojë një “ekip thelbësor” punonjësish të Byrosë të cilët punuan në hetime. Ndërsa, ai nuk përjashtoi se disa syresh mund të përballen me pasoja – duke përfshirë përfundimin ose dënime të tjera – kjo sinjalizoi për herë të parë se Departamenti nuk do të kryente shkarkime masive.
Ndërkohë Shoqata, që përfaqëson mijëra agjentë të FBI-së, u ka kërkuar liderëve të Kongresit që të mbrojë vendet e tyre të punës që rrezikojnë të ndëshkohen ose që të largohen nga puna për shkak të pjesëmarrjes në hetimin e trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitolin amerikan – ka raportuar më 04.02.2025, Agjencia amerikane e lajmeve AP.
Letra nga Shoqata e Agjentëve të FBI-së, që përfaqëson interesat e më shumë se 14 mijë agjentëve aktivë dhe të punësuar, ka ardhur pas Raporteve se mijëra punëtorëve u ishte kërkuar në fundjavë të plotësonin dhe të dorëzonin një Pyetësor për përfshirjen e tyre në hetimet e 6 janarit.
Në një zhvillim të ndarë të hënën, sipas kohës lokale amerikane, demokratët në Komitetin për Drejtësi në Senat u kanë shkruar të përzgjedhurve për të drejtuar FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë: Kash Patel dhe Pam Bondi, respektivisht që të shprehin “shqetësimet e mëdha” për përpjekjet për të vënë në siklet dhe shkarkuar zyrtarët e karrierës – duke kërkuar që të vihen komunikime të brendshme që të mos shkunden agjencitë e inteligjencës.
Letra e Shoqatës së Agjentëve të FBI-së u është dorëzuar kongresistëve të të dy partive, përfshirë kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe liderit të demokratëve në opozitë, Chuck Schumer dhe liderëve të Komiteteve për Drejtësi në Senat dhe Dhomë të Përfaqësuesve. Në letër ngrihen “shqetësimet urgjente për veprimet e fundit të ndërmarra prej ushtruesve të detyrës në Departamentin e Drejtësisë që kërcënon karrierat e mijëra agjentëve specialë të FBI-së dhe rrezikojnë të shpartallojnë punën thelbësore të Byrosë”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com