Fazli Hoxha

Fazli Hoxha i Nismës akuzon Ardian Gjinin se e shkarkoi për ta dëmtuar politikisht

Fazli Hoxha anëtarë i subjektit politik Nisma Socialdemokrate, dega në Gjakovë, ka akuzuar kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjinin, se e ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Inspekcionit, për ta dëmtuar politikisht, pasi Hoxha ka kandiduar për kryetar të Komunës, për zgjedhjet lokale të tetorit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Hoxha tha se Nisma Socialdemokrate ka filluar të marrë mbështetje të madhe në Gjakovë, e kjo sipas tij, ka bërë që të shkarkohet e të dëmtohet politikisht.

“Është vendim që e ka mendu politikisht edhe me e shfrytëzu këta 2-3 muaj sa ka mbet, se tash me siguri e emëron një njeri që e ka të vetin që është i dëgjueshëm”, thotë Hoxha.

Ai tha se sa ka udhëhequr me Drejtorinë e Inspekcionit në Gjakovë, nuk ka lejuar asnjë ndërtim pa leje, përkundër, siç thotë, ‘insistimeve nga grupe të ndryshme’.

“Për sa e kam ushtru mandatin tim, kam qenë i vendosur dhe nuk kam lënë asnjë ndërtim të lartë pa leje, nuk ka pasur kompromis, pavarësisht se ka pasur insistime nga grupe të ndryshme që të fillojnë ndërtimet pa i zbatu procedurat, unë nuk i kam leju”, tha Hoxha.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe prej drejtorit tjetër të shkarkuar, ai i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj që i takon Partisë Shqiptare Demokristiane e Kosovës, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Ndërsa po ashtu KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjakovës për të marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me shkarkimet, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nga Komuna nuk ka asnjë informatë shtesë.