Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Fazli Behrami thirret nga Specialja

Ish luftëtari i Brigadës 113 ‘’Mujë Krasniqi’’ në UÇK është ftuar për intervistë nga Gjykata Speciale.

Fazli Behrami vjen nga fshati Abri e Ulët nga komuna e Skenderajt

Lajmi për thirrjen e Fazli Behramit është bërë publik nga Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

‘’ Edhe ky, si gjithë të ftuarit tjerë, do të dalin faqebardhë’’, shkroi Gucati.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar, janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.