Ilustrimi: Trembelat

Favorizimi i Devollëve nga ZRrE, alarmi i Ambasadës gjermane për korrupsion

Ambasada e Gjermanisë përkundër përkrahjes së saj për energjinë e pastër, kishte shprehur shqetësime se skema aktuale e ZRRE-së përmes tarifave nxitëse për aplikantët e parë bart një rrezik korrupsioni.

Ambasada ka kërkuar nga ZRrE-ja që të ofrojnë opsione tjera të subvencionit të energjisë solare përmes aplikimit të konkurrentëve në një ankand.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse. Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit janë 20 megavat që do të kenë të garantuar energjinë me çmim prej 85.5 euro për megavat.

Deri më tash, vetëm 10 megavat kanë qenë pjesë e tarifave nxitëse, pra me çmim të garantuar, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë të obliguar t’i nënshtrohen çmimit të tregut.

Sipas Ambasadës gjermane, kjo skemë aktuale me tarifa nxitëse bartë rrezik të korrupsionit.

“Në të kundërtën, një tarifë nxitëse e vendosur nga qeveria ose një agjenci qeveritare nuk arrin të identifikojë subvencionin më të ulët të mundshëm; një tarifë nxitëse mund të jetë shumë e lartë (që i kushton shumë Kosovës për më shumë se një dekadë) ose shumë e ulët (nuk do të aplikojnë zhvillues të besueshëm). Gjithashtu, praktika e kaluar e Kosovës për shpërndarjen e licencave për projekte solare 3 MË mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari” mbart një rrezik korrupsioni dhe presioni të panevojshëm nga zhvilluesit jo të besueshëm mbi qeverinë dhe ZRRE-në”, thuhet në mes tjerash në komentet e kësaj Ambasade dërguar në ZRrE.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive që do të përfitojnë nga vendimi i ZRrE-së që të rritet kapaciteti i energjisë solare që do të kenë çmime të garantuar janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Në një reagim pas këtij vendimi kompania “Devolli Grup” ka thënë se nuk janë të vetmit ata që po përfitojnë nga ky vendim.

“Me këtë rast, ne duam të potencojmë se ”Devolli Group”, si kompani vendore, hyn më mesin e aplikuesve për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të rrymës me kapacitet të vogël prej 3 MË, kurse ka kompani të huaja të cilat kanë marrë autorizime për kapacitete prej 135MË (mbi 100 herë më të mëdhaja se kapacitetet tona), por për çudi nuk përmenden fare në këta artikuj”, thuhet në reagimin e ‘Devolli Group’, të cilin mund ta lexoni të plotë në këtë LINK.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në “Madanaj, ZK Kusar, Komuna e Gjakovës”. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRrE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përifitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavat. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Komunës së Gjakovës.

Rritja e sasisë së energjisë solare që do të përfitojë tarifa nxitëse +20 megavat, me çmim 85.5 euro për megavat për orë është miratuar me tri vota për dhe një kundër në mbledhjen e Bordit të ZRrE-së më 27 nëntor. Kjo skemë mbështetëse nuk kishte kaluar në mbledhjen e 14 tetorit, kur dy anëtarë të bordit kishin votuar për dhe dy kundër.

Anëtarët e Bordit, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj kanë votuar për ndërsa u.d i kryetari të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova ka votuar kundër. Janova ka thënë se nuk është kundër çmimit por është kundër kësaj skeme mbështetëse.

Kjo pikë ka hyrë në rend të ditës me propozim të anëtarit Izet Rushiti dhe votim të Bordit të ZRrE-së.

Propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro e ka dhënë anëtari i Bordit, Selman Hoti.

Kjo ka qenë mbledhja e dytë kur skema mbështetëse ishte hedhur në votim. Kjo skemë mbështetëse ishte hedhur në votim edhe në mbledhjen e 14 tetorit por nuk kishte kaluar. Në atë mbledhje, skema nuk kishte kaluar për shkak se kanë qenë dy vota për dhe dy kundër.

U.d kryetari i bordit të ZrE-së, Arsim Janova dhe anëtari Besim Sejfijaj kishin votuar kundër ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit, Izet Rushiti dhe Selman Hoti kishin votuar për.

Janova edhe në këtë mbledhje ishte kundër, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë sikur në mbledhjen e 10 korrikut, ku kishte lexuar qëndrimet kundër të Ambasadës gjermane, INDEP-it, MZhE-së, konkluzionet e Këshillit të Ministrave etj.

Më tej, duke argumentuar votën kundër, Janova kishte thënë se rritja e sasisë në +20 megavat është jashtë caqeve.

Për shkak se kishte votim të barabartë votimi për këtë skemë ishte shtyrë për një mbledhje tjetër të bordit të ZRrE-së.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se Lëvizja Vetëvendosje kishte ngritur padi në lidhje me vendimin e 27 nëntorit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkikë.

Vetëvendosje ngre padi ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për tarifat nxitëse

Shënim:

30/12/2019  10: 30

Artikulli është edituar duke ju shtuar edhe përgjigja e “Devolli Group”