Faton Peci: Presim që KQZ të reflektojë pas letrës së Vjosa Osmanit

Shefi i kabinetit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Faton Peci në “Kallxo Pernime” ka komentuar letrën që Osmani i dërgoi të hënën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me vendimin që verifikimi i votuesve nga diaspora të bëhet përmes telefonatës.

Sipas vendimit të KQZ-së, në rast se qytetari që është regjistruar për të votuar nuk lajmërohet në telefon, atëherë humbet të drejtën e votës.

“Ne po besojmë që KQZ do të reflektojë pas kërkesës së presidencës. Ne do të hyjmë në zgjedhje, por kjo s’do të thotë që ne nuk duhet të reagojmë. Nuk është konflikt interesi me mbrojtë të drejtën e votës, është e kundërta”, tha Peci në “Kallxo Pernime”.

Sipas tij, Zyra e Presidentes është e bindur se KQZ nuk e ka marrë vendimin e duhur.

“KQZ është institucion i pavarur dhe i raporton presidencës. Ne kemi çuar letër, sepse ne jemi të bindur se ky nuk është vendimi i duhur. Mërgata dhe krejt njerëzimi është duke u ballafaquar me pandeminë. Nuk mundemi me përdor masa të tilla restriktive, sepse janë ta papranueshme”, tha tutje ai.