Faton Fetahu - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Faton Fetahu: Kam vërejtje në vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Këshilltari i grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu ka thënë se ka vërejtje mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, nuk është sqaruar në detaje se kujt i lejohet të kandidojë për deputet e kujt jo.

“Janë disa elememnte në të cilat unë i shoh si vërejtje pavarësisht efekteve të tij. E para është cenimi i parimit të sigurisë juridike. Ky aktgjykim e humb karakterin e ndarjes së dënimeve sipas kodit penal. Dispozitivi thotë se secili person që është dënuar me dënim të formës së prerë, nuk do të mund të jetë kandidat për deputet, e arsyetimi sot, veç tenton ta arsyetojë. Duke mos arritur të qartësohet. I gjithë ky aktgjykim me shumë faqe, nuk është prekur fare çështja e dënimeve”, tha Faton Fetahu në debatin “Kallxo Pernime”.

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar vendimin e plotë duke shpallur përfundimisht Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Brenda 40 ditëve të ardhshme pritet të mbahen zgjedhjet.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani pritet që ditëve në vazhdim të caktojë datën e zgjedhjeve.

Të ftuar në emisionin e sotëm janë, Faton Fetahu nga PDK, Tomë Gashi, Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com dhe Labinot Leposhitca nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.