Fatmir Sejdiu rrëfen për debatet me Hashim Thaçin për leximin e Deklaratës së Pavarësisë

Në 13 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ish- Presidenti Fatmir Sejdiu ka rrëfyer momente të shumta të javëve e ditëve që i paraprinë aktit historik të shpalljes së Kosovës, Republikë.

Një nga momentet që është diskutuar shumë herë në publik ka qenë edhe fakti që Deklaratën e Pavarësisë e ka lexuar Hashim Thaçi dhe jo Fatmir Sejdiu.

13 vite me vonë, Sejdiu në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se kanë pasur debate me Thaçin se cili duhet ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë.

“Kemi pasur biseda se kush duhet ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë. Debati është zhvilluar 3-4 ditë përpara. Kemi pasur debat me z. Thaçin rreth kësaj. E kam parë se ambicia e tij ka qenë tepër këmbëngulëse se si e ka bërë, që ai ta lexojë. Unë kam thanë se rendi e do që këtë punë Parlamenti ta bëjë. As unë as Thaçi s’kemi qenë pjesëtarë të Parlamentit. Parlamenti është organi i cili e miraton dhe në këtë rast mbase Jakup Krasniqi ta lexojë”, thotë fillimisht Sejdiu.

Tutje, ai thotë se pati propozuar që ndoshta Deklaratën ta lexonte deputeti më i ri i Kuvendit të Kosovës.

“Për mua do të ishte simpatike që deklaratën ta lexonte më i riu i Parlamentit dhe do të ishte një mesazh i mirë e diçka simpatike. Nuk e di kush ka qenë më i riu, por kish me qenë mirë. Z. Thaçi e ka lexuar deklaratën, nuk e ka shpallur Pavarësinë. Shpalljen e pavarësisë e ka bërë Kuvendi i Kosovës me miratimin e saj”, tha ai.

Intervistën e plotë të Fatmir Sejdiut mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: