Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fatmir Sejdiu flet për debatet lidhur me tekstin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka rrëfyer për një takim që ai bashkë me 3-4 zyrtarë të tjerë të lartë të Kosovës kishin pasur në rezidencën e misionit diplomatik amerikan ku kishin diskutuar për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, të cilën pastaj në Kuvend e kishte lexuar Hashim Thaçi nga pozita e kryeministrit të vendit.

Sejdiu ka treguar se në Deklaratën e Pavarësisë ka pasur ndërhyrje nga ndërkombëtarët.

“Ka qenë një takim i rëndësishëm kur kemi përmbyllur tekstin e deklaratës së Pavarësisë. Janë bërë debate, ku kemi qenë 3-4 vetë në misionin diplomatik amerikan, është biseduar, janë bërë disa ndërhyrje në tekstin themelor dhe ka marrë atë formë që ka marrë”, tha Sejdiu në KALLXO.com.

Sipas tij, propozimi ka qenë që deklarata të jetë e ndërtuar asisoj që të përmenden edhe çështje historike, kur tregohet më në detaje rrugëtimi i Kosovës deri tek shpallja e Pavarësisë.

“E di që esenciale ka qenë ndërhyrja që aspektet historike, çështja e vullnetit të popullit, e kaluara historike, zhvillimet e rënda që i ka pasur Kosova, intervenimet e bashkësisë ndërkombëtarë, por ishte edhe momenti, po them kushtimisht i përplasjes me projektet e tjera, sepse kishte ide që të ketë një deklaratë pak më shumë të tipit tonë, në kuptimin e rrëfimeve historike”, kujton ish- Presidenti Sejdiu.

Një propozim deklaratë e ish- Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ishte refuzuar sipas Fatmir Sejdiut.

“E di se Jakup Krasniqi e ka pasë një projekt të vetin dhe e ka propozuar që a mund të shkoj edhe kjo, por që nuk ishte rendi. Ka qenë një deklaratë, një ide e tij”, tregon ai, derisa shton se draftin e parë të Deklaratës së Pavarësisë e kanë shkruar ekspertët ndërkombëtar.

Ky është filimi i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës që u lexua në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008”

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën.

  1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Intervistën e plotë të Fatmir Sejdiut mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: