Fatmir Matoshi, UD i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Foto: Fatmir Matoshi/Facebook

Fatmir Matoshi tregon pse u shkarkua Ilir Morina

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Ilir Morina, është shkarkuar nga kjo pozitë, e që për këtë vendim pati disa akuza drejtuar ministrisë që i përkiste.

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në një bisedë për KALLXO.com thotë se shkarkimi i tij është bërë për disa arsye e mes tyre për dështim në zbatim të projekteve të Agjencisë që i përkiste.

“Është shkarkuar për shkak të shkeljeve të punës, shkelje të përgjegjësive, neglizhencë në punë, ka dështim në zbatim të projekteve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ka një rast të hapur në Këshillin për Emërime të larta për sjellje jo korrekte ndaj vartësve të vetë në zyrën e tij, atë rast e kam përcjell para dy muajve në komisionin disiplinor të Këshillit”, tha ai.

Matoshi i mohoi pretendimet për ndërhyrje në konkurse, për të cilat mes tjerash e akuzoi Morina.

Gjithashtu, ndër arsyet e tjera që numëron Matoshi është edhe fakti që nuk u informua për arrestimin së pesë zyrtarëve në parku kombëtar Bjeshkët e Nemuna.

“Për punësime as nuk jam unë, as nuk është kryeshefi, është zyra e personelit që merret me këto punë. Nuk kam bërë presion për punësime as për këto gjera që ai flet. Unë kam pasur besim në kryeshefin për punët që i ka, dhe ka dështu. Kam fotografi të traktorëve të kësaj të diele që drutë barten në mënyrë masive nga parku nacional Sharr. Edhe rojet nuk kanë ndërmarrë asnjë gjë. Më janë arrestuar pesë zyrtarë në Deçan në Bjeshkët e Nemuna d.m.th. nuk kam asnjë informatë, informohem prej mediave, këto janë arsyet”, tha Matoshi.

KALLXO.com ka kontaktuar me tashmë ish-zyrtarin e MMPH-së Ilir Morinën për të marrë koment shtesë lidhur me ato që i pretendon Matoshi.

“S’ka kurrfarë arsye, janë personale me më largu për një kohë sa i ka mbet aty. I kam email-et dhe presione qe i ka bërë stafit e mua qe sa”, ka thënë ai.

Pezullimin nga kjo pozitë e ka bërë të ditur vetë Moirna në rrjetin social ‘Facebook’,  duke thënë se u shkarkua nga puna katër ditë para zgjedhjeve për ‘vendime qesharake të pabazuara’.

Ai akuzon politikën, konkretisht Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për ndërhyrje në konkurse të jashtëligjshme dhe duke iu dhënë “projekte kompanive të miqve të tyre”.

Gjithashtu, ai akuzoi edhe për dhënie të lejeve jashtëligjshme dhe presion të stafit.

Ministri Matoshi shkarkon kryeshefin e AMMK-së, Ilir Morinën