Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fatmir Limaj: Të bashkohemi e ta mbyllim këtë temë, leni fërkimet politike

Kreu i Nismës socialdemokrate, Fatmir Limaj pas një takimi mes krerëve të koalicionit qeverisës LDK-AAK-Nisma ka thënë se nuk ka mospajtime mes partnerëve të qeverisë.

Limaj tha se janë të kënaqur me punën që ka bërë delegacioni i Kosovës deri tani duke shtuar se ky është qëndrim edhe i partnerëve tjerë.

Limaj tutje shtoi se Kosova ka humbur shumë vite kurse tani jemi përballë një dinamike të re të dialogut.

“Kosova ka humbur sa vite, më nuk guxon për shkak të moskoodinimit dhe neglizhencës ta vonojë këtë momentum të rëndësishmë. Siç edhe po e shihni edhe Brukseli edhe Uashingtoni janë të gatshëm për një dinamikë të re dhe ne kemi interes që edhe ta imponojmë këtë dinamikë për ta kryer sa më shpejtë këtë proces”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nismës u bëri thirrje partive opozitare që të vashkohen në këtë proces i cili sipas tij do rregullojë përjetësisht mënyrën e funksionimit të shtetit të Kosovës e jo të merren me fërkime politike e elektorale.

“Apeli im është mos të tentojmë që të dëmtojmë interesin afatgjatë të vendit tonë për interesa politike, elektorale. Kush është patriot e kush tradhëtarë, është momenti i fundit ku kërkohet një pjekuri politike, dhe për këto tema të bashkohen pozitë e opozitë. Ne duhet të jetojmë me marrëveshjet si ajo që u prodhua në Uashington, prandaj është shumë e rëndësishme pjesëmarrja dhe dhënia e kontributit për të nxjerrë një marrëveshie të mirë. Këtu po flitet për një proces i cili mund të rregullojë përjetësiht mënyrën e funksionimit të vendit tonë, kjo nuk është thjesht agjendë ditore”, ka shtuar tutje Limaj.

Limaj gjithashtu tha se kjo temë do kishte përfunduar para dy viteve nëse do të fokusoheshim në të, dhe jo të humbnim kohë duke prishur raporte, dëmtim të imazhit të vendit dhe ti jepnim kohë Serbisë për të ecur tutje në integrim Evropian.