Foto: Kallxo.com

Fatmir Limaj pas takimit me Isa Mustafën: Vendit i duhet qeveri që kryen punë

Pas rreth një orë bisede, ka përfunduar takimi mes kreut të LDK-së Isa Mustafa dhe atij të NISMA-s, Fatmir Limaj.

Pas takimit, Limaj tha se “vendit i duhet një qeveri që kryen punë”.

“Kosovës i duhet një qeverisje me bazë të gjerë. Kosovën e presin tema shumë të rëndësishme. Biseduam që duhet të jemi të kujdesshëm në tërë fazën parazgjedhore… Kosovës i duhet një qeverisje e cila kryen punë dhe jo fjalë”, tha Limaj pas takimit.

“Është një moment i rëndësishëm dhe vendi mjaft ka humbë dhe nuk ka më kohë për të humbë”, shtoi ai.

“Shpresoj që partitë politike nuk do t’i kaplojë euforia e një vote më tepër duke dhënë premtime të pabazuara, duke dhënë fjalë që nuk mbahen.”, tha Limaj.

Sipas tij, procesi zgjedhor duhet të karakterizohet me seriozitetin që do ta nxjerrë qeverinë e ardhshme.

“të gjithë e dimë me çfarë tema do të ballafaqohet qeveria që në ditën e parë të themelimit të saj dhe nuk është mirë që fushata elektorale të ndizet me folklorizëm ndërsa në ditën e parë të qeverisjes të ndryshohet krejt”, tha Limaj.

Ai nuk dha shenja për një koalicion të mundshëm të NISMA-s me LDK-në.

“Ju e dini disponimin e NISMA-s pak a shumë, u mbetet organeve të vendosin në ditët në vijim. Ne bisedojmë me të gjithë partnerët. NISMA e vlerëson interesin e vet partiak”, tha ai duke e lënë të hapur mundësinë për bisedime tjera pas zgjedhjeve.

Më herët, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mbështetur idenë për një koalicion parazgjedhor me PSD-në.

Mbledhja e Këshillit Drejtues të AAK-së nuk ka zgjatur shumë dhe nga kjo mbledhje, kryetari Ramush Haradinaj ka dalë me lajmin për ‘dritë të gjelbër’ për këtë koalicion me partinë e Shpend Ahmetit.

“Ka pasur plot diskutime rreth kësaj, rreth koalicioneve potenciale dhe të tjera. Është votuar me shumicë votash me dy abstenime marrëveshja për koalicion parazgjedhor me PSD”, tha Haradinaj.

“Kjo marrëveshje i ka pikat programore, ka gjitha çështjet tjera përgatitore për me shku suksesshëm në zgjedhje”, shtoi ai.

Kur u pyet nëse do të takohet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kryetari i AAK-së dha përgjigje negative.

“Tash jam i nxanë, po e shihni me detyra, me punë”, tha ai

Haradinaj nuk dha përgjigje të prerë nëse me PSD ka diskutuar për pozitën e kryeministrit.