Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit Nismës Sociademokrate – 2 prill 2020 Foto: Zyra e Presidentit

Fatmir Limaj nga Nisma në takim konsultativ me Thaçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim konsultativ edhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj.

Kjo është dita e dytë e takimeve të thirrura nga presidenti me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.

Paraditen e së enjtes, Thaçi ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, si dhe ka biseduar përmes telefonit më Behgjet Pacollin e AKR-së.

Gjatë ditës, Thaçi do të takohet edhe me Ramush Haradinajn e AAK-së dhe përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6+.

Kurse pas takimeve, kreu i shtetit pritet ta ketë një adresim për media.

Thaçi dje, u zotua se nga këto procese do të ketë transparencë të plotë dhe respektim të Kushtetutës, ligjeve dhe praktikave të mëhershme, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti me 25 mars.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.

Në takimin e djeshëm, lideri i LVV-së Abin Kurti kërkoi nga presidenti të mendojë rreth datës së zgjedhjeve, kurse Isa Mustafa nga LDK-ja  e Kadri Veseli tha se në këtë kohë janë kundër kundër mbajtjes së zgjedhjeve