Kandidatja e LDK-së Fatlume Jaha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.

Fatlume Jaha (LDK): Investim 60 milionë euro për 80 çerdhe të reja në Kosovë

Nëse i fiton zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zotohet se do t’i ndërtojë 80 çerdhe në gjithë vendin.

Ky investim, sipas parallogaritjeve të kësaj partie, ka një kosto prej rreth 60 milionë euro.

Lidhur me këtë, kandidatja për deputete e LDK-së, Fatlume Jaha, tha në “Debat Përnime” se në kuadër të prioriteteve të tyre është edhe realizimi i programit kombëtar për edukimin e hershëm.

“Qeverisja e LDK-së e ka prioritet të realizojë Programin kombëtar për edukimin e hershëm. Planifikojmë dhe synojmë të rrisim buxhetin çdo vit për nga 15 milionë euro dhe do të ndërtojmë nga 20 çerdhe, që nënkupton në mandatin e parë të rrisim numrin në 80 çerdhe të reja me një buxhet prej 60 milionë euro”- premtoi Jaha.

Ajo e sheh si shumë të nevojshme rritjen e numrit të çerdheve duke u bazuar në statistikat që sipas saj tregojnë se vijueshmëria e fëmijëve nën moshën 5 vjeçe në çerdhe momentalisht është vetëm 6.9% në Kosovë.

Me strategjinë e saj, LDK-ja parasheh që për tetë vite qeverisje, përqindja e fëmijëve që vijojnë çerdhet të jetë shumë më e lartë.

“Të përfshirja e fëmijëve në shkollimin e hershëm  të moshave 3-6 vjec ne synojmë që për dy mandate qeverisëse këtë pjesëmarrje të kësaj grup moshe të fëmijëve në sistemin parashkollor ta rrisim deri në 95%”- ka thënë Jaha.

Synim tjetër në politika për arsim nga LDK-ë është edhe reformimi i klasave me nga 20 nxënës.

“Synimi ynë është i qartë, klasë me 20 nxënëse në koordinim me të gjitha komunat e Kosovës në tri vitet e para të qeverisjes sonë të bëjmë një planë nacional  për infrastrukturën fizike dhe mbi bazën e nevojave dhe këtyre kërkesave ne do të rrisim edhe numrin e objekteve shkollore

Në programin e LDK-së, “Rruga e Re”, janë paraparë 30 milionë euro për ndërtimin e objekteve të reja shkollore.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Planet e LDK-së për arsimin në Kosovë dhe për investime në rajonin e Ferizajt