Thaçi e Vuçiq - Foto: REL/CourtesyPhoto

Fati i dialogut Kosovë-Serbi pas datës 6 tetor

Zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Kosovë më 6 tetor 2019 dhe rezultati  që pritet të dalë nga këto zgjedhje, ashtu siç qëndrojnë gjërat tani, do të sjellin ndryshime në përbërjen e qeverisë së re dhe, respektivisht, një qeveri me lojtarë krejtësisht të rinj.

Nëse i marrim parasysh hulumtimet e institutit slloven IFIMES që kanë të bëjnë me disponimin e votuesve kosovarë, zgjedhjet e tetorit pritet që t’i humbasin partitë që kanë qeverisur dy vitet e fundit me Kosovën, duke e vënë fokusin te LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje, VV, si dy nga partitë me gjasat më të mëdha për t’i fituar zgjedhjet parlamentare.

Ish-partia e presidentit Hashim Thaçi, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, e cila tani udhëhiqet nga Kadri Veseli, sipas këtij hulumtimi, qëndron më poshtë se asnjëherë më parë.

Hiç më mirë nuk qëndrojnë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj dhe partia NISMA Socialdemokrate e ish zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Megjithatë, edhe PDK edhe AAK pretendojnë se ato do të jenë parti fituese në zgjedhjet e 6 tetorit.

Bazuar në indikacionet paraelektorale, një qeveri e ardhshme pa PDK-në në të, e që nënkupton edhe pa PDK-në në përbërjen e delegacionit kosovar për bisedime me Serbinë, mund të jetë një prej opsioneve paszgjedhore në Kosovë.

Nëse pastaj komuniteti ndërkombëtar lëshohet edhe në opsione tjera, bisedimet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës do të mund të pësonin ndryshime drastike.

Një qeveri e re në Kosovë do të formohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit ndërsa edhe zgjedhjet e parakohshme në Serbi do të mund të mbahen pak kohë pas zgjedhjeve në Kosovë.

Në njëfarë mënyre këto zgjedhje do të duhej të ishin një lloj verifikimi i krejt asaj për të cilën është rënë dakord deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithëse jo shumë është arritur si rezultat i këtyre bisedimeve.

Dialogu Prishtinë – Beograd është ndaluar qysh nga vendosja e taksës 100% nga ana e autoriteteve të Kosovës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në shenjë kundërshtimi, Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e kësaj takse.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë duke e kushtëzuar këtë gjë me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe njëkohësisht që Serbia të ndalojë fushatën e saj ndaj shteteve të caktuara, për tërheqjen e njohjeve ndaj Republikës së Kosovës, shtete këto kryesisht vogla në të cilat ofensiva e diplomacisë serbe ka arritur të ketë ndikim, më shumë si rezultat i neglizhencës së diplomacisë kosovare për ta ndaluar një ofensivë nga Serbia.

Një prolongim i mundshëm i bisedimeve e, bashkë me këtë edhe i zgjidhjes së nyjës Kosovë-Serbi, do të mund të vinte për shkak të largimit të këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, të cilin presidenti amerikan Donald Trump, ditë më parë, thënë bukvalisht, e hoqi qafe brenda ditës përmes një njoftimi në llogarinë  e tij në Twitter.

Bolton ishte përkrahës i idesë që zgjidhja e problemit të Kosovës të bazohet në një lloj të ndarjes apo korrigjimit të kufijve.

Pra, Bolton qysh nga fillimi nuk e ka hedhur poshtë idenë e Beogradit zyrtar se nuk ka mundësi që dikush t’i fitojë gjithçka ndërkohë dikush tjetër të humbë gjithçka.

Tashmë ky opsion veçse ka pësuar ndryshim, ndërkohë që lojtari kyç në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi është Matthew Palmer, zëvendësndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, i cili në fund të muajit gusht është emëruar emisar special për Ballkanin Përendimor.

Palmer është më afër një zgjidhjeje më pragmatike të problemit të Kosovës sesa një zgjidhjeje të imponuar, të pjesshme dhe ad-hoc, opsion ky që ka qarkulluar në prapaskenën politike për më shumë se dy vite.

Megjithatë, para kësaj, zgjedhjet e ardhshme të caktuara me 6 tetor do të duhej ta qartësonin këtë situatë.

Nëse diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë e pranojnë faktin se ndryshimi në qeverinë e ardhshme do të bëhet me faktorë krejtësisht të rinj, ndërkohë, bazuar në hulumtimet e instituteve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me parashikimet e rezultateve elektorale, gjasat më të mëdha janë që ky ndryshim të bëhet përmes një koalicioni LDK-VV si dy partitë me numrin më të madh të votave, atëherë është pothuajse evidente që edhe komuniteti ndërkombëtar do të fillojë, në mos tani, atëherë pas konfirmimit të rezultatit zgjedhor dhe formimit të qeverisë së re, insistimin për rinisjen e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Edhe pse Hashim Thaçi, i cili si president i Republikës së Kosovës, deri më tani i ka udhëhequr bisedimet nga pala kosovare dhe ka mandatin e tij presidencial deri në vitin 2021, duke marrë parasysh fituesin, i njëjti mund të mos ketë kurrfarë roli sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi pas zgjedhjeve të tetorit.

Fillimisht në një qeveri të re, sipas të gjitha gjasave, një qeveri LDK-VV, Thaçi do ta ketë një qeveri komplet kundër tij e, veç kësaj, edhe sistemi qeverisës në Kosovë është sistem parlamentar e jo presidencial, duke i shtuar krejt kësaj pastaj edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila thotë se Presidenti nuk ka mandat për të zhvilluar bisedime me Serbinë.

Pra, marrë parasysh krejt këta faktorë dhe nëse qendrat  e vendimmarrjes perëndimore vendosin që pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi të jenë krejtësisht lojtarë tjerë, atëherë duket pothuajse e pamundur që presidenti aktual edhe më tutje të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Përfshirja e LDK-së dhe kandidates së saj për kryeministre, Vjosa Osmani, si dhe kandidatit tjetër për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në procesin e bisedimeve është një fakt i cili nuk mund të përjashtohet assesi.

Megjithatë, se sa janë të gatshme këto dy parti, respektivisht Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, të pranojnë ndonjë kompromis të mundshëm me qeverinë e Beogradit, kjo tashmë është një pikëpyetje e madhe, marrë parasysh faktin se të dy këto parti, respektivisht liderët e tyre, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, kanë dhënë indikacione të mëdha përmes deklarimeve dhe qëndrimeve të tyre zyrtare se çfarëdo marrëveshje e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili nuk do të respektonte tërësinë territoriale të Kosovës nuk do të jetë e pranueshme.

Në të njëjtën kohë edhe në Ballkan gjërat po shkojnë në drejtime të ndryshme.

Fundi i vitit duket të jetë një kohë shumë optimiste por edhe reale sa i përket hyrjes së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Madje, tri ditë më parë edhe vetë presidenti amerikan Trump ka konfirmuar mbështetjen e tij për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO duke deklaruar se “mezi pres që ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë për të promovuar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në rajon”.

Njëkohësisht, jozyrtarisht, flitet për opsione që edhe çështja e Kosovës edhe ajo e Bosnje dhe Hercegovinës të zgjidhen në një pako të përbashkët.

Sa i përket Kosovës, nëse i lexojmë si duhet deklaratat politike që vijnë nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shtetet evropiane, bisedimet me Serbinë do të duhej të vazhdojnë me t’u formuar qeveria e re.

Largimi i këshilltarit të Trump, John Bolton, nga Shtëpia e Bardhë, do të ndikojë në ndërrimin e kursit politik të administratës amerikane karshi Ballkanit, në veçanti karshi problemit Kosovë-Serbi.

Është paksa e vështirë të parashikohen ngjarjet në Ballkan marrë parasysh faktin se administrata e presidentit Trump ka qenë më se e qartë në lidhje me nyjën e pazgjidhur të problemit Kosovë-Serbi.

Madje, Trump u kishte dërguar nga një letër të dy presidentëve, atij serb Vuçiq dhe presidentit kosovar Thaçi duke shprehur vullnetin e ShBA-së se si presidenti Trump e sheh zgjidhjen e këtij problemi.

Për më shumë Trump u kishte bërë me dije të dy palëve se kjo çështje do të duhej të zgjidhej deri në gjysmën e vitit 2019.

Në këtë vijë, ish këshilltari i Trumpit, Bolton, ka qenë i hapur në deklarimet e tij për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. SHBA është e gatshme të ndihmojë dhe të mbështesë palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin. Uashintoni ishte i gatshëm të pranojë çdo lloj marrëveshje për të cilën do të binin dakord të dyja palët dhe që do të ishte e zbatueshme”, ka deklaruar Bolton gjatë një vizite të tij në Ukrainë në gushtin e vitit 2018.

Padyshim, një opsion i këtillë do ta destabilizonte krejt rajonin sepse kjo do të shkaktonte një domino efekt duke përfshirë edhe Bosnjën pasi që Republika Srpska do të synonte pastaj ndarjen e saj nga shteti boshnjak.

Në anën tjetër, i dërguari special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ditë më parë ka deklaruar se Rusia dëshiron një rajon të përfshirë në trazira dhe mosbesim.

“Ne e shohim Ballkanin Perëndimor si një anëtar të familjeve të vendeve perëndimore, të integruar në institucionet euroatlantike, si vende me të cilat bashkëpunohet në baza të të drejtave dhe ligjeve. Rusët tashmë na kanë treguar se e dëshirojnë një rajon të bazuar në trazira dhe mosbesim. Mendoj se këtë më së miri e ka dëshmuar me rastin e Malit të Zi, kur rusët ishin përkrahës të grusht shtetit në vitin 2016, i cili ka qenë një potez i panjohur në mënyrë që Mali i Zi të pengohet drejt integrimit në NATO dhe BE”, ka deklaruar ai.

Sa i përket problemit të Kosovës, Matthew Palmer, ka deklaruar se është  i bindur se një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të arrihet, se Shtetet e Bashkuara do ta ta përkrahin Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij është e përkushtuar ndaj dialogut.

“Një prej qëllimeve tona kryesore është që t’i japim përkrahje një qeverie në Kosovë e cila është e përkushtuar në dialog, gjë që nënkupton suspendimin e taksës dhe rikthimin në tavolinën e bisedimeve”, ka deklaruar Mattheë Palmer ditë më parë gjatë vizitës së tij në Mal të Zi.

Sipas tij, bisedimet do të duhej të ishin serioze dhe të rezultonin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.