Arkiv - Marshi per te Zhdukurit Foto: Atdhe Mulla

Fati i 15 operacioneve për kërkimin e të pagjeturve në Kosovë  

Autoritetet e Kosovës kanë rritur kapacitetet dhe trajtimin e zonave të dyshimta ku ka dyshime për mbetje mortore të personave të zhdukur në Kosovë.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar për KALLXO.com se gjatë vitit 2024 janë urdhëruar 15 ekzaminime ndërsa janë duke trajtuar edhe disa informacione të reja që kanë ardhur nga burime të ndryshme.

Nga luftimet e vitit 98-98 në Kosovë janë të zhdukur 1 mijë e 595 persona të të gjitha nacionaliteteve. Në kërkimin e fatit të viktimave, dy vendet Serbia dhe Kosova janë dakorduar për bashkëpunim, por problemet politike kanë ngadalësuar kërkimet.

Përkundër kësaj Prokurori që udhëheqë me hetimet e personave të zhdukur, Ilir Morina tregon se kanë shtuar numrin e urdhëresave për të gërmuar në zona të dyshimta brenda Kosovës.

“Fati i personave të zhdukur është fat i tërë Kosovës dhe si i tillë është barrë edhe për Prokurorinë e Shtetit, që me i trajtu rastet e tilla. Ne gjatë vitit 2024 në total kemi pranuar rreth 15 kërkesa nga Policia e Kosovës për trajtimin e vendeve ku është dyshuar që ka gjetje të eshtrave mortore” – tha Morina.

“Janë 15 procedura të cilat fillojnë. Përfundimi i tyre nuk është çështje që kryhet shpejtë, merr shumë kohë, merr më shumë se një vit, mundet me ndodhë më shumë se 5 vite. Prandaj është shumë vështirë me dhënë një përgjigje se prej krejt këtyre rasteve, sa kemi pas rezultat ose jo, por janë çështje që janë duke u proceduar” – shtoi tutje prokurori.

Me urdhrat e Prokurorisë Speciale, Mjekësia Ligjore ka nisur gjurmimet në terren. Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore tregon se gjetjet e mbetjeve mortore gjatë këtij viti në krahasim me vitet e kaluara janë më të pakta edhe përkundër faktit se urdhëresat janë zbatuar.

“Këtë vit kemi do me thënë në 6 lokacione kemi gjetje të mbetjeve njerëzore, që është dukshëm numër më i vogël se vitin e kaluar dhe të gjitha këto raste sillen në IML pasi që të zhvarrosen ose gjenden në terren” – u shpreh Haliti.

Madje, Haliti vlerëson se me kalimin e viteve edhe informacionet çdo ditë e më shumë janë më të zbehta.

“Kanë kaluar 25 vite dhe sa më shumë që kalon koha natyrisht që informatat zbehen dhe dëshmitarët vjetrohen, plaken, vdesin kështu që informatat janë gjithmonë e më të varfra. E thash që kjo punë e jona varet shumë prej informatave. Informatat i marrim nga burime të ndryshme” – theksoi Haliti.

Krahasuar me Halitin nga IML, prokurori i Speciales vlerëson se sigurimi i informacioneve po rritet.

“Duket se ka progres në sigurimin e informacioneve më të mdhaja. Identifikimi i rasteve apo marrja e informacioneve kohëve të fundit ka filluar të shtohet, prandaj edhe Policia është shumë aktive në këtë drejtim” – shprehet i njëjti.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës  ka gjithsej 40 pjesëtarë,  prej të cilëve 11 prej tyre janë në sektorin për hetimin e personave të zhdukur.

Shefi i këtij sektori, Florim Elshani tregoi se në vazhdimësi janë duke bashkëpunuar me organet e drejtësisë me qëllim të identifikimit të sa më shumë lokacioneve të reja dhe identifikimin e sa më shumë trupave.

“Ne aktualisht i kemi 1 mijë 595 persona të zhdukur, në bazë të azhurnimit të listave të fundit së bashku me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur. Secili rast ose secila prej këtyre trajtohet veç e veç. Gjatë këtij viti kemi trajtuar deri më tash i kemi realizuar diku 15 lokacione, 15 urdhëresa” – u shpreh Elshani.

“Dy i kemi veç në pritje me ekshomu për shkak se i kemi pranu urdhëresat nga gjykata për ekshomim dhe vlerësim. Si dhe i kemi edhe katër kërkesa në Prokurori Speciale të cilat i kemi dorëzuar dhe jemi në pritje të urdhëresës” – tha tutje i njëjti.

Teksa institucionet thonë se puna po kryhet, shoqatat që kanë mision çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës nuk po dalin të jenë edhe shumë të kënaqur.

Silvana Zdravkoviq nga Shoqata e Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në Graçanicë thotë se nuk ka vullnet politik për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Madje sipas saj, politikanët po e keqpërdorin dhe po abuzojnë me dhimbjen dhe problemin që kanë familjarët e personave të zhdukur.

“Siç e ceka pak më parë, nuk ka vullnet politik dhe ata nuk duan që kjo çështje të zgjidhet, dhe me siguri i kanë arsyet e tyre për këtë. Nuk do të doja të spekuloj për arsyet e tyre, por mundem lirisht të them se ata po e keqpërdorin dhe po abuzojnë me dhimbjen tonë dhe problemin tonë, të gjithë politikanët e keqpërdorin këtë, pra nuk është qëllimi i tyre që të zbulohet fati i personave të zhdukur, sepse po të ishte e kundërta, kjo çështje do të ishte zgjidhur prej kohësh” – vlerësoi Zdravkoviq.

Në anën tjetër Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit Koordinues të Familjeve të të Zhdukurve vlerëson se institucionet janë vonuar shumë për të trajtuar këtë çështje.

“Shiko çështja e krimeve të luftës nuk vjetërsohet kurrë. A jemi vonuar? Jemi vonuar dhe stër-vonuar. Se institucionet nuk kanë qenë në krahun tonë, se sot rrinë me qindra mijëra dokumente që duhet të ishin në gjykatë. Dhe nuk janë. Duke u themeluar gjykatat me vonesë, t`u u bo Instituti për Krime Lufte me vonesë, t`u u bo Policia për krime lufte me vonesë, Instituti i Mjekësisë me vonesë” – tha Grajçevci.

Rreth 1 mijë e 595 persona edhe 24 vite nga mbarimi i luftës në Kosovë vazhdojnë te mbesin të zhdukur. Zbulimi i mbetjeve mortore të tyre është një proces i gjatë që kërkon informacionet dhe të dhëna të cilat nuk i kanë institucionet.