Faruk Rexhaj emërohet ushtrues detyre i kryeshefit të KPM-së

Komisioni i Pavarur i Mediave ka zgjehdur Faruk Rexhajn ushtrues detyre të kryeshefit të KPM-së.

Lajmin e ka konfirmuar nënkryetari i KPM-së, Granit Musliu.

“Sot janë marrë dy vendime, vendimi i parë është pezullimi nga detyra i kryeshefit Luan Latifi dhe caktimi i ushtruesit të detyrës se kryeshefit të ri. Ushtrues detyrë do të jetë Faruk Rexhaj”, tha Musliu.

Komisioni i Pavarur i Mediave mbajti këtë mbledhje për të caktuar udhëheqësin e ri, pas arrestimit të dy zyrtarëve të saj, kryeshefit Luan Latifit dhe drejtorit të Financave, Arben Bilalli, për marrje ryshfeti.

Në dosje të Prokurorisë, përshkruhet se pasi janë marrë paratë, Bilalli ka qenë në kontaktim të vazhdueshëm me kryeshefin Luan Latifi.

Pasi është ndaluar nga Policia e Kosovës, drejtorit të financave, i janë gjetur 8 mijë eurot e Policisë së Kosovës të cilat janë përdorur për simulim.

Sipas kësaj dosjeje Arben Bilalli së bashku me kryeshefin e KPM-së Luan Latifin ishin taktuar me tre pronarët e një biznesi privat dhe për të biseduar në lidhje me mosndëshkimin e tyre nga KPM-ja.

Dosja e prokurorisë përshkruan se pas këtij takimi, drejtori Bilalli i ka pranuar nga njëri prej bashkëpronarëve të biznesit shumën prej 8 mijë eurove të cilat ishin para të buxhetit të Policisë së Republikës së Kosovës.

30 ditë paraburgim për drejtuesit e KPM-së Luan Latifin e Arben Bilallin