Protesta para Gjykatës së Prishtinës. FOTO-Elona Sejdullahu/ KALLXO.com

Faruk Kukaj padit Prishtinën për diskriminim të personave me nevoja të veçanta

Faruk Kukaj, person me nevoja të veçanta dhe shfrytëzues i karrocës ka paditur Komunën e Prishtinës, për shkak të pamundësisë për të lëvizur lirshëm në rrugët dhe trotuaret e qytetit.

Seanca gjyqësore për këtë u mbajt sot në Gjykatën e Prishtinës.E autorizuara e paditësit Kukaj, avokatja Latife Neziri deklaroi se paditësi është trajtuar ndryshe dhe në mënyrë më pak të favorshme se sa personat e tjerë, gjë që kjo i ka shkaktuar shqetësime në shëndet  dhe pamundësi të shoqërimit me njerëz të tjerë.

Ajo poashtu tha se paditësit i është shkaktuar dëm material dhe jo material.

“Bëhet fjalë për dëm material si pasojë e riparimit të karrocës dhe shpenzimet e transportit alternativ, ndërsa sa i përket dëmit jomaterial te paditësi paraqiten dhimbje shpirtërore për shkak të vështirësive të qasjes në hapësirat publike, ekspozim ndaj rrezikut si dhe cënim të dinjitetit, personalitetit dhe integritetit”, tha avokatja Neziri.

Kurse i autorizuari i të paditurës Komuna e Prishtinës, avokati Jeton Idrizi deklaroi se mbetet në tërësi të përgjigjes në padi si dhe parashtresës së datës 25 gusht 2020.

“Sa i përket hapësirave ose objektit të Komunës së Prishtinës, në këtë objekt është dhe hyrja e destinuar për persona me aftësi të kufizuar, kurse sa i përket rrugëve konsiderojmë se rrugët janë trashëguar nga sistemi i mëhershëm. Në shumicën e tyre nuk ka vështirësi për kalimin e rrugës mirëpo para shqyrtimit kryesor, pas komunikimit me organet komunale do të sigurojmë prova për pretendimet tona dhe parashtrimet e përshkruara në parashtresë”, shtoi avokati Idrizi.

Gjykata vlerësoi se padia ka të meta në kuptimin objektiv të saj, pasi që në kërkesëpadi paditësi nuk i ka sqaruar veprimet diskriminuese për të cilat kërkon ndalimin dhe eliminimin e tyre. Poashtu se nuk është specifikuar se për cilën kategori të dëmit material dhe jomaterial ka parashtruar.

Gjykata i dha kohë prej 3 ditësh të autorizuarës së paditësit, që të bëjë rregullimin e padisë në kuptimin objektiv në mënyrë që të sqarojë veprimet diskriminuese, për të cilat kërkon që të ndalohen dhe eliminohen nga e paditura. Poashtu që të bëjë rregullimin e kërkesëpadisë sa i përket kërkesës për dëmin material dhe jomaterial, në mënyrë që të saktësohet se për çfarë kategorie të dëmit parashtrohet kërkesa si dhe të ofrohen prova për vërtetimin e fakteve në këto kategori të dëmit.

Sipas padisë paditësi Faruk Kukaj, si person me aftësi të kufizuara dhe shfrytëzues i karrocës si mjet për lëvizje, për shkak të mungesës së kushteve fizike në trotuaret e Prishtinës, nuk ka qasje të duhur për të lëvizur lirshëm në rrugët e qytetit.

Për shkak të mungesës së qasjes fizike joadekuate në rrugët/trotuaret, me të cilat hapësira menaxhon e paditura, konkretisht Drejtoria për Shërbime Publike.

Pasi që rrugët te cilat paditësi frekuenton janë te patejkalueshme për të, si përdorues i karrocës dhe si rrjedhojë paditësi pretendon se është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet padrejtësisht ndryshe nga të tjerët, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Sipas paditësit, e paditura duke mos rregulluar infrastrukturën ka bërë dhe vazhdon të bëjë diskriminim ndaj tij, me ç’rast kjo është në mospërputhje me Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi.

Tutje në padi thuhet se, paditësi gjithnjë ka nevojë për asistencë të së paku 2 personave, në mënyrë që të arrijë në vendin e duhur, kjo për shkak të mungesës së qasjes nga ana e të paditurës. Me këtë paditësi pretendon se e paditura, jo vetëm që e ka trajtuar ndryshe por dhe i ka humbur mundësinë që paditësi të jëtë pjesë e shoqërisë.

Me këtë paditësi ndjehet i ofenduar për shkak të cënimit të dinjitetit njerëzor, me ç’rast ai poashtu pretendon se e paditura ka bërë diskriminim të drejtëpërdrejtë, gjë që është e ndaluar me Kushtetutë, Konventën Evropiane për të drejtat e Njeriut si dhe Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi.